
MANCHESTER- Pep Guardiola ka sugjeruar se Xhek Grilishi mund të largohet nga Mançester Siti gjatë verës, madje me shumë diplomaci u duk sikur e kërkoi këtë gjë. Së pari ai e la talentin anglez jashtë skuadrës për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Fulham, ku Siti fitoi 2-0 dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Grilish, i blerë për 100 milionë paund nga Aston Vila në vitin 2021 si pëlqim i madh i Guardiolës, ka qenë titullar vetëm shtatë herë këtë sezon në Premier Ligë.
Guardiola theksoi se anglezi është një lojtar që duhet të luajë rregullisht dhe nëse kjo nuk ndodh te Siti, ndoshta lojtarit do t’i duhet të kërkojë një destinacion të ri.
Trajneri katalanas shpjegoi se përjashtimi i Grilish nga ndeshja e fundit ishte thjesht zgjedhje teknike, por deklarata pasuese dhe tregimi i derës me shumë elegancë, interpretohen si sinjal i Guardiolës për lojtarin: “I padëshiruar”. Grilish mund të ketë shumë vlerë kartoni në shkëmbime teknike, për lojtarë që janë të vështirë për t'u arritur me "pagesa cash" nga skuadra. Megjithatë mbetet për t'u parë se si do e përpunojnë lojtari dhe agjentët e tij këtë mesazh të mprehtë të trajnerit Guardiola./ZËRI