
HOLANDË - Shërbimi i Prokurorisë Publike (OM) rekomandoi që futbollisti profesionist Quincy Promes të dënohej për akuzat se ai ishte i përfshirë në kontrabandë të kokainës përmes portit të Antuerp. OM tha të mërkurën se Gjykata e Qarkut të Amsterdamit duhet të urdhërojë Promes të kryejë nëntë vjet burg. Avokati i tij tha se Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për të dënuar Promes. Gjykata do të marrë një vendim më 14 shkurt.
32-vjeçari Promes nuk ishte i pranishëm në gjyqin e tij. Ish-lojtari i Ajax-it dhe ekipit kombëtar holandez aktualisht luan për Spartak Moskën. OM u përpoq më kot ta çonte atë në Holandë. Për shkak të mungesës së tij, Promes nuk ka dëshmuar se "si një futbollist kaq i suksesshëm e lejoi veten të tërhiqej kaq thellë në krim", tha prokurori në sallën e gjyqit në Amsterdam të mërkurën.
Promes kishte kontakte me trafikantët kryesorë të drogës, duke përfshirë Piet U., pretendoi OM. U. është një 55-vjeçar nga Almere, i dyshuar për dy atentate dhe i cili u akuzua për drejtimin e një operacioni të madh të trafikut të kokainës. Në çështjen Promes, OM kërkoi një dënim me tetë vjet burg për të bashkëpandehurin Marylio V., një 32-vjeçar nga Purmerend. Ai është i lidhur me Promesin, por jo familjar dhe ndodhet në paraburgim që prej muajit prill.
Si Promes ashtu edhe V. luajtën një "rol vendimtar, drejtues dhe koordinues" në kontrabandën e drogës, tha Shërbimi i Prokurorisë Publike. Promes thuhet gjithashtu se ka bërë një investim të madh financiar në trafikun e drogës. Prandaj ai ishte "një hap më lart" se V. Dyshja vepronte "nën rogoz" dhe punonte "me llogaritje", dhe ata punësuan të tjerë për të bërë punën e pistë, siç është heqja e kokainës nga porti, sipas Shërbimit të Prokurorisë Publike.
OM përshkroi një dërgesë që u zhvillua në fund të janarit 2020. Një anije me kontejnerë mbërriti nëpërmjet Uestern Scheldt dhe u ankorua në portin e Antuerp. Kontrabandistët kanë mundur të nxjerrin nga anija një ngarkesë prej 650 kilogramësh kokainë dhe ta transportonin në një magazinë pranë portit. Nëpunësit doganor kapën një tjetër ngarkesë, me peshë më shumë se 712 kilogramë, nga e njëjta anije. Të dyja grupet e kokainës ishin fshehur në një ngarkesë me thasë me kripë deti, që vinte nga Brazili.
Provat kundër dy të dyshuarve kryesisht përbëhen nga një numër i madh mesazhesh të koduara të përgjuara. Hetimi për Promes nisi pasi hetuesit morën këshilla nga individë të botës së krimit. OM tha se ishte e qartë nga bisedat e përgjuara, se si Promes ashtu edhe V. ishin të përfshirë intensivisht në kontrabandë. Prokurori citoi raporte, në të cilat Promes përdorte pseudonimin "Fantasma", në lidhje me çështjen e kontrabandës. ‘Fantasma’ kishte raste që brohoriste për transportin e suksesshëm të 650 kilogramëve kokainë. "Punë e shkëlqyer," tha ai në një bisedë në grup me bashkëpunëtorët e tij të dyshuar. "Jam krenar për ty." Promes i mohoi akuzat përmes avokatëve të tij. Ata pretenduan se Promes nuk mori pjesë fare në ato komunikime. "Promes nuk është Fantasma”, tha ekipi i mbrojtjes.
‘Edhe nëse gjykata konkludon se Promes ishte Fantasma, nuk mund të konkludohet nga mesazhet se i pandehuri ka luajtur një rol penalisht të dënueshëm në këtë çështje. Në atë rast, një lirim është i vetmi rezultat i drejtë, veçanërisht pasi nuk ka prova të tjera’, argumentuan avokatët. Më tej, policia nuk ka mundur asnjëherë të intervistojë Promes në hetim, pasi ndodhet në Rusi, ku luan për Spartak Moskën.
“Promes nuk ka bërë një deklaratë sepse ka bërë zgjedhjen që të vijojë detyrimet e tij ligjore të punës”, thanë avokatët për mungesën e klientit të tyre. Ata pretendojnë se janë bërë përpjekje për të arritur marrëveshje me Prokurorinë Publike, në mënyrë që Promes të ketë fjalën e tij për këtë rast. Këto kanë qenë pa rezultat”, tha mbrojtja.
Qershorin e kaluar, gjykata e dënoi futbollistin edhe me 1.5 vjet burg, pasi dyshohej se kishte goditur me thikë në gju një kushëri gjatë një feste familjare në Abcoude. Ai ka bërë ankesë kundër këtij aktgjykimi. Ai gjithashtu nuk u paraqit në gjykatë gjatë atij procesi. “Ai duket se mendon se është i paprekshëm në Rusi apo jashtë saj”, tha prokurori.
Edhe avokati i Marylio V. ka argumentuar pafajësinë, pasi ai nuk ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ai theksoi se V. tha se ka ndihmuar vetëm në gjetjen e dy personave për të rikuperuar kokainën në port, "që të mund të fitonin diçka"./ZËRI/