
TIRANË- Raphael Dwamena, vetëm nëntë muaj më parë rrëfeu publikisht problemet me zemrën dhe të gjitha peripecitë që i solli zbulimi i mjekëve anglezë. Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa, Dwamena tregonte se kishte vendosur të jetonte çdo ditë sikur të ishte e fundit, me besimin në Zot dhe pa aparturën e defribilatorit, pasi siç tregonte dhe ai vetë, i shkaktonte ankth dhe jo të pakta ishin rastet kur jepte alarme false.
Ai besonte se vetëm Zoti mund ta ndalonte, në një kohë kur bluzat e bardha i kishin thënë që të largohej nga futbolli, por duke shtuar se respektonte çdo sugjerim të mjekëve dhe vendimet e klubeve për të mos e pranuar mes tyre.
“Doktorët nga klube të ndryshme shpreheshin që unë nuk duhej të luaja më, por unë i thoja që e vlerësoj mendimin e tyre, por unë nuk doja të ndalesha. Nuk kam frikë sepse Zoti është me mua, kur erdha këtu bëra vizita dhe gjithçka doli mirë edhe para se të vija këtu në Zvicër isha mire. Për njerëzit normal ka gjëra të pamundura, por për Zotin jo, ai është aty për mua, e di që duket e vështirë, por kjo është jeta. Secili prej nesh ka rrugëtimin e tij, mua më ndodhi dhe e kam pranuar,”- shtonte ai.
Ganezi 28-vjeçar tregonte gjithashtu se ajo që kishte më shumë merak ishin familjarët e tij, me të cilët takohej shumë rrallë, për shkak se ata vijonin të jetonin në Austri.
“Unë e kam pranuar, por për familjen ka qenë e vështirë, më duhej t’i merrja vazhdimisht në telefon për tu treguar që jam mirë,”- thoshte ai.
Para pak vitesh, sëmundja e zemrës e largoi nga një karrierë që mund të ishte zhvilluar në elitën e futbollit evropian, por sot, e largoi nga jeta. Dwamena deklaronte se aparatin nuk e kishte më dhe se analizat e kontrollet i kishin dalë në rregull, por ajo që ndodhi këtë mesditë, rezultoi fatale.
Autor i 8 ndeshjeve dhe 2 golave me kombëtaren afrikane, një lojtar për të cilin, zviceranët e Zuri paguan 600 mijë euro për ta blerë nga austriakët e Austria Lustenau në janarin e vitit 2017, u nda sot nga jeta. Ai pësoi atak kardiak në fushën e blertë të ekipit të Egnatias. Vdekja e Dwamena-s u konfimua nga mjekët e spitalit të Kavajës, por autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për të zbardhur nëse ka pasur apo jo neglizhencë nga institucionet e vendit tonë, që në janar të këtij viti, vendosën firmosjen e kontratës me futbollistin.