
SHBA - Komediani Russell Brand sërish nën akuza për ngacmime seksuale. Aktori akuzohet tashmë se ka sulmuar seksualisht një grua gjatë xhirimeve të një filmi.
Gjatë xhirimeve në korrik 2010, gruaja tha se komediani e ka ndjekur nga pas dhe e ka sulmuar seksualisht në banjë. Brand tashmë përballet me akuzat për përdhunim, sulme seksuale dhe abuzim emocional.
Ai i mohon akuzat dhe thotë se marrëdhëniet e tij kanë qenë "gjithmonë konsensuale". Brand nuk i është përgjigjur ende padisë.
Policia ka thënë se është duke hetuar një sërë pretendimesh të bëra kundër Brand, derisa çështja është depozituar në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Nju Jorkut të premten.
Në një deklaratë, gruaja - e njohur si Jane Doe - pretendon se aktori ishte i dehur, kishte erë alkooli dhe mbante një shishe vodka në duar, përpara se ta sulmonte seksualisht më 7 korrik 2010.
Më vonë në të njëjtën ditë, paditësja thotë se Brand hyri në banjë pas saj dhe e sulmoi seksualisht atë, pasi "një anëtar i ekipit të xhirimeve në film mbante mbyllur derën nga jashtë". Studioja e filmit Uarner Bros Pictures dhe kompanitë e tjera të përfshira në produksion përmenden gjithashtu në padi.
Gruaja thotë se si pasojë e abuzimit ajo vuan nga sikleti ekstrem, turpi dhe frika, si dhe e ka të vështirë t'u besojë të tjerëve. Ajo thotë padia mund të ndikojë negativisht në jetën e saj profesionale, pasi ajo ende punon si aktore dhe ka frikë se mund të vendoset në “listën e zezë të industrisë së filmit”.
Raportohet se ajo kërkon dëmshpërblime të paspecifikuara nga aktori britanik. Ajo gjithashtu tha se ka frikë edhe nga mbështetësit e Brand, pasi mund t’i bëjnë keq.
Akuzat nga katër gra ndaj Brand u bënë fillimisht në një hetim të përbashkët nga mediat Sunday Times, Times dhe Channel 4 Dispatches.
Ata pretenduan se aktori kishte sulmuar seksualisht disa gra në Mbretërinë e Bashkuar dhe Los Anxhelos gjatë një periudhe shtatëvjeçare, midis viteve 2006 dhe 2013, kur ai punonte në BBC Radio 2, Channel 4 dhe si aktor i Hollivudit.
Policia Metropolitane tha se po hetonte disa akuza, ndërsa Policia e Thames po shqyrton gjithashtu raportet për ngacmime. Një ditë para se hetimi mediatik ndaj Brand të publikohej në internet, komediani ndau një video në rrjetet sociale, ku ai mohoi akuzat.
Brand mohoi ato që quajti "akuza të rënda kriminale" dhe shtoi se marrëdhëniet e tij kanë qenë gjithmonë absolutisht konsensuale./BBC- Zëri.ai/