
SHBA- Video loja e dhunshme "Pa mëshirë" në të cilën lojtarët kanë mundësinë të marrin rolin e një burri që abuzon, përdhunon, madje edhe vret gratë, ka shkaktuar reagime të forta në mbarë botën. Platforma Steam u detyrua ta ndalonte atë në shumë vende vetëm disa ditë pas lëshimit të saj në fillim të prillit. Loja e kompanisë Zerat Games lejoi lojtarët të kontrollonin një personazh që përdhunonte, torturonte dhe vriste gratë.
“Kurrë mos e merrni “jo”-në për përgjigje”, ishte një nga përshkrimet-këshillat për lojtarët.
Ndër skenarët e tjerë, “heroi” përdhunoi një grua dhe më pas e vrau atë dhe foshnjën e saj të porsalindur. Në skenarët e tjerë, loja kërkonte nga lojtarët që të kishin marrëdhënie incestuoze ose të shantazhonin personazhe të tjerë.
Newsweek raporton se loja nuk kishte një vlerësim moshe ose paralajmërim për përmbajtjen.
Fillimisht u ndalua në Britani, Kanada dhe Australi. Zerat më pas vendosi të hiqte dorë nga platforma Steam, duke deklaruar se "ne nuk kemi ndërmend të luftojmë të gjithë botën". Valve, e cila operon platformën, nuk shpjegoi arsyet e tërheqjes.
Megjithatë, nuk kishte asnjë ndalim në SHBA përpara heqjes së tij nga platforma. Video lojërat, siç shton Newsweek, mbrohen nga Amendamenti i Parë për lirinë e fjalës, ndërkohë që nuk ka asnjë organ që mund të marrë një vendim të tillë.
Nga ana e saj, Zerat Games pretendon se zemërimi për videolojën është për shkak të... "keqkuptimit dhe informacioneve të rreme” rreth lojës.
“Ne e konsiderojmë veten njerëz krejtësisht normalë”, shkruajnë zhvilluesit e lojës, të cilët gjithashtu thonë se u dhanë lojtarëve mundësinë për të përmbushur fetishet e tyre dhe “aktet seksuale jo-konsensuale” përmes lojës.
Platforma Steam kishte hequr një lojë të ngjashme, "Rape Day", në 2019 pas një proteste për përmbajtjen e saj. “Skenari” ishte afërsisht i njëjtë: lojtari luante përdhunuesin serial./ZËRI