
SHBA- Ylli i serialit "Law & Order: Special Victims Unit", Mariska Hargitay ndau një përvojë shumë personale dhe traumatike në një tekst që shkroi dhe publikoi në revistën "People". Aktorja tregoi se ishte përdhunuar në të 30-at nga një burrë që mendonte se ishte shoku i saj .
“Nuk ishte aspak seksuale. Ishte dominim dhe kontroll. Shumë kontroll. Tani e di që ishte dhunë seksuale, por kisha frikë se do të më godiste. Isha ngrirë, është një reagim normal kur nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar. U përpoqa të dilja nga trupi im,”-shkroi ajo.
Hargitay thotë se u përpoq ta "varroste" përdhunimin në mendjen e saj, në mënyrë që të mund të kapërcejë traumën. Ajo zbuloi se madje i tha bashkëshortit të saj, Peter Hermann, se "nuk ishte përdhunim" sepse e njihte autorin.
Më pas, filloi ta konceptonte ndryshe.
“Gjërat filluan të ndryshonin brenda meje dhe po e diskutoja këtë çështje me njerëzit më të afërt. Ata ishin të parët që e quajtën përdhunim. Ata ishin të sjellshëm dhe të vëmendshëm.”
Hargitay luan Detektiven Olivia Benson në Law & Order: SVU, dhe në atë rol ajo përpiqet të ndihmojë viktimat e dhunës seksuale dhe në familje që të shërojnë plagët e tyre. Gjatë kohës së saj në SVU, ajo themeloi "Joyful Heart", një fondacion që ndihmon viktimat e sulmeve seksuale, dhunës në familje dhe abuzimit të fëmijëve. Ajo thotë se përmes fondacionit gjeti trajtimin që i duhej.
"Kjo është një pjesë e dhimbshme e historisë sime. Ka qenë përvoja ishte e tmerrshme. Unë jam 60 vjeç dhe jam shumë mirënjohëse për vendin ku kam arritur. Ndjej dhembshuri për të gjithë ne që kemi vuajtur. Jam krenare,”-shtoi ajo./ZËRI