KOSOVË- Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës. Dua Lipa është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, ku me dekret presidencial, i është dhënë dhe shtetësia kosovare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka ndarë fotot me këngëtaren, teksa shpreh nderin e veçantë për këtë moment. Presidentja e cilësoi Duan si një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty”, shkruan Osmani.
Këngëtarja Dua Lipa ka mbërritur në Prishtinë për të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit në Kosovë, “Sunny Hill Festival”.