TIRANË- Monika Kryemadhi, opinioniste në "Big Brother VIP Albania 5", ka folur hapur dhe me deklarata të pastra lidhur me jetën e saj personale, pas divorcit. Së fundmi, në një intervistë televizive "Ftesë në 5", përveç qëndrimeve dhe opinioneve për ngjarjet dhe dinamikat në "Big Brother", Monika, si rrallë herë ka folur për dashurinë.
E pyetur nëse beson ende te dashuria pas divorcit, Kryemadhi vendos të përgjigjet duke iu rihthyer historisë së saj me Metën, duke e cilësuar si dashurinë e saj të parë dhe të fundit.
“Besoj te dashuria, është kryesore, ngroh shpirtin. Nuk mendoj se jam në fazë për të dashuruar sepse unë e kam dashurinë time, sepse dashuria ime me ish-bashkëshortin ka kaluar në shumë sfida, dhe edhe kur vjen një moment që mbaron dashuria, nuk do të thotë që mbaron dashura nga ana tjetër. Nuk është më prioriteti im një dashuri tjetër. Për fatin tim të mirë ose të keq, Meta ka qenë dashuria e parë dhe e fundit mund ta them. E para mendoj se e gjithë jeta ime politike ka filluar me Metën në krahë, politika na bashkoi dhe prapë politika na ndau. Nuk e kam menduar si një marrëdhënie që ishte në kurriz të politikës, e kam dashur ndoshta më shumë se sa më ka dashur ai, dhe kur ndodh kështu je akoma e ngopur për të parë nga një dashuri tjetër”, rrëfeu Monika.