
TIRANË- Aktori Julian Deda, i cili doli i dyti në garën për çmimin e madh të Big Brother Vip, ka treguar më shumë detaje rreth lojës së tij brenda në shtëpi.
Edhe pse ishte një lojtar i fortë, ai nuk mundi të marrë dot trofeun në një përballje ‘kokë më kokë’ me Egla Cenon. I ftuar në “Ftesë në 5”, ku u pyet se si ndihet për faktin që doli i dyti në garë, Juli u shpreh se është i mërzitur, por jo i zhgënjyer.
“Kur shkon në atë pikë je gjysmë hap larg fitores. Jam i mërzitur, por jo i zhgënjyer. Do doja ta fitoja, por kam dalë në rrugë, kam përshëndetur njerëz, më kanë folur.
Nuk më ka munguar ky raport me publikun, por më kanë njohur në gjithë ngjyrat e mija, edhe kur nuk bëj humor. Nuk fitova 100 mijë euro, por fitova dashurinë e njerëzve”, u shpreh Juli.
Artisti komentoi edhe videon e djalit të tij, i cili gjatë surprizës në shtëpinë e BBV, i dha një porosi.
“Fjalia që më tha nuk më vuri në mendime, nuk kam dashur asnjë sinjal nga jashtë. Më kanë ardhur katër helikopterë nga jashtë, nuk i doja. Kisha idenë se do më ngatërronin, më shumë se më ndihmonin.
Ajo që më tha çuni ishte sinjal nga jashtë, nuk e kam konsideruar këtë lojë që duhet të flasësh pa pushim, të bësh zhurmuesin. Romeo e bënte shumë shpesh këtë që nuk të linte të flisje, edhe unë e kam bërë”, tha Juli.