
GJERMANI- Aktori i Hollivudit, Arnold Schwarzenegger u arrestua disa ditë më parë në Mynih, thjesht për një orë që mbante me vete. Por, këtë orë mësohet se ai e ka shitur në një ankand jo më pak se 270 mijë euro.
Shitja u bë në një takim, ku u fol për çështjet klimatike që shqetësojnë sot botën. Edhe vetë Schwarzenegger mbajti një fjalim në këtë ankand. “Mes luftës së vazhdueshme kundër ndotjes, kam qenë dëshmitar i progresit të bërë. Kemi bërë një rrugë të gjatë. Shumë njerëz këtu janë të gatshëm që të jenë pjesë e zgjidhjes. Faleminderit të gjithëve që iu bashkuat luftës sime kundër ndotjes”, tha Schwarzenegger.
Arnold Schwarzenegger po përballet me akuza tatimore penale, për faktin se ai nuk ka deklaruar orën e tij të shtrenjtë, Audemars Piguet, e krijuar në mënyrë të posaçme për të. Ai nuk deklaroi orën në Aeroportin e Mynihut dhe kjo solli probleme. “Aktori nuk ka deklaruar një produkt. Ky është një produkt, që importohet nga vende jo anëtare të BE-së, për të qëndruar në Bashkimin Europian. Kjo procedurë vlen për të gjithë”, tha Thomas Meister, zyrtar i shtypit për Aeroportin e Mynihut.
Meister tha se ish-guvernatori i Kalifornisë dhe ylli i Terminator u lejua të vijojë udhëtimin, pasi u mor në pyetje më shumë se 2 orë. Ankandi, që arriti të ketë fitime deri në 1.31 milionë euro, u ndoq nga përfaqësuesi amerikan për klimën, John Kirby, por edhe shumë personalitete të tjera, që janë aktivistë të klimës. Në këtë mbrëmje të veçantë ankandi, nuk u shit vetëm ora e Schwarzenegger, por janë shitur edhe bizhuteri unike e vepra arti./ZËRI/