
TIRANË- Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit që çeli në mars thirrjen për Konkursin Ndërkombëtar për Projektimin e Masterplanit të Parkut të Besimit njoftoi për shtyrjen e afateve lidhur me këtë nismë. Konkretisht faza e parë që ka të bëjë me dorëzimin e dokumenteve e planifikuar për datën 2 maj tashmë është shtyrë për në datën 12 maj ndërsa faza e dytë që ka të bëjë me dorëzimin e aplikimeve e parashikuar në 16 korrik me shumë gjasa do të zërë vend në 3 shtator.
Në njoftimin e saj, AKPT bën të ditur se ky rishikim është bërë për ti dhënë më shumë kohë ekipeve që të përgatiten teksa ka ndryshuar edhe qasja sa i takon numrit që do të pranohet në fazën dy.
“Për të nxitur një pjesëmarrje sa më cilësore dhe të gjerë në fazën e dytë të konkursit, është vendosur që të mos kufizohet numri i ekipeve të kualifikuara në një listë fikse, por të ftohen të gjithë ata që arrijnë një nivel të lartë vlerësimi në fazën e parë. Në vend të një numri të mbyllur prej 5 ekipesh, në fazën e dytë do të kualifikohen të gjitha ekipet që marrin mbi 75 pikë në fazën e parë, sipas kritereve të vlerësimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Numri minimal i ekipeve që do të ftohen është 5. Ky ndryshim synon të: krijojë mundësi për më shumë ekipe që të prezantojnë propozimet e tyre; rrisë seriozitetin dhe angazhimin në fazën e dytë; garantojë një konkurrencë më të hapur, me ide më të pasura dhe përzgjedhje më cilësore nga juria,”-thuhet në njoftimin e AKPT.
Në këtë konkurs për 5 vendet e para është llogaritur që të jepen çmime me një vlerë 40 mijë euro secili.
Projekti i parkut të Besimit
AKPT vlerëson në parashtrimin e projektit se Parku i Besimit është frymëzuar nga vlerat e Shkrimeve të Shenjta dhe vlerat e harmonisë fetare dhe bashkëjetesës që karakterizojnë Shqipërinë, virtyte të trashëguara ndër breza. Siti i propozuar i konkursit ndodhet në zonën e Petrelës, në një sipërfaqje prej afërsisht 210,000 m 2 . Në zonë dhe në afërsi të saj, ndodhen një sërë atraksionesh historike si Kalaja e Petrelës, vendbanimi antik i Persqopit dhe Muzeu i Historisë të Forcave të Armatosura.
“Ky konkurs ndërkombëtar për projektimin e masterplanit aspiron të mishërojë këto vlera, duke synuar gjenerimin e një koncepti të ri të “bashkësisë” dhe “strehimit”. Parku do të ofrojë hapësira për pushim dhe ndërveprim për grupe, kombësi dhe besime të ndryshme, dhe do të shërbejë si një vend për ngjarje që festojnë këto komunitete. Nëpërmjet theksit mbi bashkëjetesën, ky projekt do të krijojë një dinamikë të re hapësinore në kryeqytet, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe shpirtin qytetar, dhe duke festuar paqen, qëndrueshmërinë dhe unitetin e popullit shqiptar, në të gjitha besimet e tij,”-thuhet në faqen e AKPT.
Parku i Besimit do të qëndrojë si një dëshmi e gjallë e besimit të palëkundur të Shqipërisë në bashkëjetesë – mes njerëzimit dhe natyrës, mes individit dhe hyjnores, dhe, mbi të gjitha, mes njëri-tjetrit.
Më shumë se një hapësirë, Parku i Besimit do të jetë një deklaratë që uniteti nuk është vetëm një ideal, por një forcë përcaktuese. Si një monument për qëndrueshmërinë e hekurt dhe shpirtin e përbashkët të popullit shqiptar, Parku i Besimit do të konfirmojë se edhe përballë ndarjeve, shpresa mbijeton dhe bashkësia triumfon./Monitor