
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka takuar këtë të martë ekipin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit para dy takime që do të luhen me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Përmes një video të shpërndarë nga Federata Shqiptare e Futbollit kreu i qeverisë përpos lavdërimeve kishte edhe "kritika" për ekipin.
Sipas tij, sot ekipi e ka ngritur "stekën lart" por duhet dhe ta mbajë. Sa i përket ndeshjeve të viteve të shkuara kreu i qeverisë tha se ekipi ka qenë i dobët.
Edi Rama: Të them të drejtën, që kur ju kam parë juve në fillim, i thashë që mbaje mend që kjo punë ka për të shkuar mirë, sepse këta luajnë futboll. E them këtë në kuptimin që mbajmë topin. Kemi bërë edhe disa fitore më parë, por top nuk kemi mbajtur me thënë të drejtën. Tani jeni përzier mirë, disa me eksperiencë, disa të rinj, kështu që unë erdha vetëm që t’ju shoh, t’ju uroj sukses. Unë shpresoj shumë të shkojë mirë. Detyrat e juaja ju i dini vetë, nuk ka nevojë t’ua tregoj unë e t’ju flas unë. Ju e keni nderuar këtë fanellë deri tani, e keni rrit shumë stekën dhe pritshmëritë.
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të luajë më 17 nëntor me Moldavinë ndërsa me 20 nëntor në stadiumin "Air Albania" kundër Ishujve Faroe. Ekipi ynë është vetëm një hap larg europianit "Gjermani 2024"./Zëri.ai