
URUGUAY - Ish-sulmuesi i Napolit dhe PSG-së, Ezequiel Lavezzi, është dërguar me urgjencë në një spital në Uruguaj pas një goditjeje me thikë, raporton El Observador. Ish-futbollisti argjentinas u dërgua në Sanatorio Cantegril de Maldonado, Uruguai, të martën në mëngjes, raportojnë gazetat uruguaiane.
Lavezzi u dërgua me urgjencë në spital me një plagë në klavikul. Burime policore të cituara nga El Observador pretendojnë se argjentinasi u godit me thikë nga një prej anëtarëve të familjes së tij, pas një debati për prona dhe para.
Sky Sport Italia nuk konfirmon se Lavezzi është goditur me thikë nga një anëtar i familjes, por as nuk sqaron pse argjentinasi u dërgua në spital. Ish-sulmuesi i Napolit është shfaqur së fundmi në TV italian si ekspert i Amazon Prime Video Italia, për ndeshjet e Napolit në Ligën e Kampionëve.
38-vjeçari iu bashkua Napolit nga skuadra argjentinase San Lorenzo në vitin 2007 dhe kaloi pesë sezone me Partenopei, duke shënuar 48 gola në 188 paraqitje. Ai iu bashkua PSG-së për 30 milionë euro në vitin 2012 dhe shënoi 35 herë në 161 paraqitje me gjigantët e Ligue 1./ZËRI/