Energji & Mjedis

SHIFRAT E FRIKSHME/ Gjysmë milion njerëz në BE vdiqën nga ajri i ndotur

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në BE vdiqën nga ajri i ndotur në vitin 2021, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, dhe gjysma e vdekjeve, mund të ishin shmangur duke reduktuar ndotjen në kufijtë e rekomanduar.

D.XH
SHIFRAT E FRIKSHME/ Gjysmë milion njerëz në BE vdiqën nga
Ndotja e ajrit

BRUKSEL - Mbikëqyrësit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) ia atribuan 253,000 vdekje të parakohshme në hapësirën e BE, përqendrimeve të grimcave të imëta në ajër të njohura si PM2.5, që shkelën kufijtë maksimalë të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me pesë mikrogramë për metër kub.

Studiuesit evropianë lidhën 52,000 vdekje të tjera me nivele të tepërta të dioksidit të azotit në ajër, ndërsa thonë se 22,000 vdekje kanë ndodhur për shkak të ekspozimit afatshkurtër ndaj niveleve të tepërta të ozonit. “Shifrat e publikuara sot nga EEA na kujtojnë se ndotja e ajrit është ende problemi kryesor i shëndetit mjedisor në BE” - tha Komisioneri Evropian për Mjedisin, Virginius Sinkevičius.

Edhe pse ndotja e ajrit është një nga vrasësit më të mëdhenj në botë, ekspertët theksojnë se numri i të vdekurve mund të bjerë shpejt, nëse vendet marrin masa për këtë. Midis viteve 2005 dhe 2021, vdekjet nga ndotja e ajrit në BE ranë me 41 për qind dhe Bashkimi Europian synon të arrijë në 55 për qind, deri në fund të dekadës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila shtrëngoi udhëzimet e saj për cilësinë e ajrit në vitin 2021, paralajmëron se asnjë nivel i ndotjes së ajrit nuk mund të konsiderohet i sigurt. Në shtator, Parlamenti Evropian votoi për të harmonizuar rregullat e BE-së për cilësinë e ajrit me OBSH-në, por vendosi ta shtyjë këtë deri në vitin 2035.

Përveç vëzhgimit të numrit të vdekjeve, studiuesit e EEA përcaktuan, për herë të parë, edhe sa vite të tjera popullsia jetoi me sëmundje të shkaktuara nga ajri i keq. “Kur njerëzit sëmuren nga kanceri i mushkërive, ata zakonisht vdesin shumë shpejt” - tha Alberto Gonzalez Ortiz, studiues i ndotjes së ajrit nga EEA, duke vënë në dukje se për sëmundjet e tjera, veçanërisht astmën, por edhe diabetin apo sëmundjet kronike obstruktive pulmonare, ndotja është arsyeja kryesore e vdekjes.

Për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike të shkaktuar nga ndotja e grimcave PM2.5 në vitin 2021, EEA vlerësoi se rreth 150,000 vite jetë janë ‘shkurtuar’ në të gjithë BE-në. Djegia e lëndëve djegëse fosile, rritja e makinave në rrugë dhe rritja e krerëve të bagëtive çlirojnë sasi të mëdha gazi toksik dhe grimca të dëmshme, që njerëzit më pas thithin. Më e vogla nga këto grimca, e njohur si PM2.5, mund të hyjë në qarkullimin e gjakut, ku ato përhapen në të gjithë trupin dhe dëmtojnë organet nga truri në organet riprodhuese.

Hetimi i këtij viti zbuloi se 98 për qind e njerëzve në Evropë thithin ajër, ndotja e të cilit i kalon kufijtë e lejuar nga udhëzimet e OBSH-së. Barra e sëmundjes, siç shihet në rezultatet e EEA, bie kryesisht në Evropën Lindore dhe Juglindore. Lajmi pozitiv është se autoritetet në nivel evropian, kombëtar dhe lokal po marrin masa për të reduktuar emetimet, të tilla si promovimi i transportit publik apo çiklizmit në qendrat e qyteteve, por edhe përmes legjislacionit të përditësuar./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB