Qytetërim

Si lindi profesioni i "blogger-s" në Shqipëri? Flasin Cansel Saygin dhe Jona Rizaj

Të fitosh para si influencere mund të jetë sfiduese...

b.b.
Si lindi profesioni i "blogger-s" në Shqipëri? Flasin Cansel
Cansel Saygin dhe Jona

TIRANË- Gjërat e reja dhe moderne në vendin tonë tërheqin menjëherë kureshtjen e publikut. Ashtu ndodhi edhe me bloggeret vite më parë, kur fotot e tyre u kthyen në formë marketingu. Ky trend erdhi duke u rritur me kalimin e kohës, deri më sot, i cili konsiderohet edhe si profesion pasi sjell mjaft të ardhura. Të fitosh para si influencere mund të jetë sfiduese: do duhet të prodhosh vazhdimisht përmbajtje të re, të rrisësh ndjekësit apo të gjesh sponsorë. Dhe e gjithë kjo është punë kolosale, ditë pas dite. Por, prapaskenat nuk janë aq të bukura sa shfaqen në foto.

Së pari, le të qartësojmë se çfarë nënkuptojnë me blogere apo influencuese Instagram-i!

Blogeret, janë njerëz që përdorin platformën për të ndarë përmbajtjen e tyre, që përfshin foto, video, tekst ose një kombinim të të gjitha këtyre. Çelësi është që ato ndajnë përmbajtje që të çon në bloget e tyre. Por, nga ana tjetër ka dhe blogerë që janë të fokusuar 100% në Instagram dhe krijojnë lidhje me marka të ndryshme. Ky është një koncept mjaft i thjeshtë, shumë efektiv e që sjell shumë të ardhura.

Por, si e shohin influencueset shqiptare këtë profesion? A është mjaftueshëm fitimprurës në vendin tone?

Për Zëri, Cansel Saygin, e njohur si Cansel, një ish-influencuese me kohë të plotë, tashmë e fokusuar në fushën e marketingut, ka treguar rrugëtimin drejt kësaj fushe e më pas shkëputjen prej saj. Faqja e Instagramit e Cansel u krijua në vitin 2016, kur ishte vetëm 19-vjeçe. Shkëputja nisi mes viteve 2021-2022, për tu fokusuar në fushën e marketingut.

Intervista me Cansel

1-Cilat ishin pritshmëritë e tua kur hape faqen e Instagramit, për ta kthyer më pas në një blog?

Cansel: Çdo gjë filloi në 2016 kur isha vetëm 19 dhe kishte shumë pak personazhe aktive që shfrytëzonin rrjetet sociale si një hapësire ku të ndanin eksperiencat e tyre rregullisht. Duke pare figura të njohura jashtë dhe duke patur më shume kohë në dispozicion në atë kohë doja të ndaja pjesëza të rutinës sime. Rrugëtimi pati fryte shumë shpejt vetëm pak muaj pasi isha aktive dhe nisi me bashkepunime me faqe të huaja për të reklamuar veshje dhe produkte të tjera.

Më pas bizneset shqiptare filluan të dëgjonin rreth “influencer marketing” dhe të krijonin besimin për të investuar dhe në këtë drejtim. Ka qene eksperiencë me njohje të reja dhe kreativitet që në atë moshë më ka ndihmuar goxha për të zgjedhur dhe rrugëtimin që kam sot si menaxhere marketingu. Në vitin 2021-2022 nisi dhe shkëputja ime pasi angazhimet dhe projektet e tjera nuk linin shumë kohë. Megjithatë, tani jam duke ndërthurur mediat sociale me profilin në të cilën punoj, duke u fokusuar në dhënien e informacioneve rreth marketingut.

2-Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e bloggeres në Shqipëri?

Cansel: Avantazh është sepse ka shumë hapësira krijimi dhe vend për të sjellë risi.

Cansel: Disavantazh është zhvlerësimi qe ka si punë nga një pjesë e mire që akoma nuk e konsideron si një punë të mirëfilltë. Pasi të krijosh kontent nuk është aspak e thjeshtë siç duket.

3-Sa e vlerëson vendi ynë një bloggere?

Cansel: Krahasuar me gjithë punën dhe kualitetin që sjellin aspak. Realisht vlerësoj punën e të gjithë personave që krijojnë ide, sjellin risi, bëjnë editime fantastike! Kompani të mëdha punësojnë krijues kontenti të brendshem për secilen nga platformat ku janë aktive. Në një shtet tjeter një blogger/e nuk do të kishte nevojë të kishte një punë të dytë për të qenë brenda “normave” dhe për t’u quajtur se kanë një punë të mirefillte. Gjithashtu, do të respektoheshin si influencer.

4-Shqipëria paguan mjaftueshëm për këtë profesion?

Cansel: Pagesa e influencer ashtu si dhe pagat në tregun shqiptar në çdo industri lejnë për të dëshiruar. Influencer në Shqipëri krijojnë kontent aq të mirë sa disa prej tyre duken si video komerciale/spote, por pagesa nuk shkon në një linjë.

5-Çfarë mendon se nuk shkon me këtë profesion në Shqipëri?

Cansel: Është akoma një fushë për të cilën duhet të edukohemi dhe të jemi të vetëdijshem se tashmë cdo punë që perfshin platforma dixhitale është e paguar, kërkon kohë dhe përkushtim.

Jona Rizaj thotë të kundërtën.

Influencuesja e cila ka grumbulluar 91,3 k në Instagram, tregon se nëse një person arrin të krijojë kontaktet e duhura me personat e duhur në këtë fushë, ia arrin qëllimit. Sipas saj, pagesat në këto raste janë të kënaqshme. 

Intervista me Jonën:

1-Cilat ishin pritshmëritë e tua kur hape faqen e Instagramit, per ta kthyer më pas në një blog?

Jona: Faqen e instagramit unë e kam hapur që në vitin 2014, ku ndaja çdo gjë nga jeta ime. Ishte një mundësi e mirë për mua ku unë mund të tregoja veten dhe pastaj çdo gjë ka ardhur gradualisht. Isha e inspiruar nga fotot qe shikoja online, më pelqente dhe me intrigonte bota e tyre dhe me ishte kthyer në një obsesion për ta bere pjesë timen. Nuk është se kisha ndonjë pritshmëri të madhe, megjithëse thellë thellë e dija se gjithmonë një ditë do ti arrij qëllimet e mia nëse ia vija synim vetes, siç bëra. Pasioni dhe dëshira për të bukurën, modernen dhe për të treguar gjithçka nga jeta ime me shtynë për të patur blogun që kam sot.

2-Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e bloggeres në Shqipëri?

Jona: Avantazhe do te thoja që ka goxha, qofshin këto benefite financiare ose jo. Avantazh nëse mund ta themi ka në vende të ndryshme ku ideja që je e njohur le te themi, të trajtojne mbase pak më mirë. Ndërsa për disavantazhe ka dhe kjo si çdo punë të këqijat e veta, megjithese më kryesorja mendoj se konsiston në faktin se në Shqipëri e kanë të vështirë ta pranojnë që është një profesion dhe punë e mirëfillte. Kanë gjithnjë atë synimin për ta parë si diçka qejfi, kur në fakt për ne blogeret, Instagrami përkthehet në orë të gjata pune, kërkon shume impenjim, frymëzim dhe të fokusohesh në të çdo ditë sepse ashtu e kërkon puna. I mërzitur ose jo, Instagrami të detyron të jesh aktiv shumicën e kohës me reklamat që ne bëjmë apo storyt e ndryshme që duhet të hedhim.

3-Sa e vlerëson vendi ynë një bloggere?

Jona: Vendi ynë, siç e thashë dhe tek pyetja më lart e shikon si një gjë ose mjet që do të donin ta kishin të gjithë, por kur vjen puna për ta vleresuar, tregohemi pakëz gjirokastritë (shaka)

4-Shqipëria paguan mjaftueshëm për këtë profesion?

Jona: Në Shqiperi, ashtu si kudo besoj në botë nëse dicka i bën yzmetin e duhur, ia shikon frytet. Dhe këtu nëse lidhesh me bizneset e duhura dhe i bën vetes marketingun e duhur, ia arrin qëllimit. Gjithçka varet sesa kërkon ti nga vetja dhe sesa je i vendosur për ta arritur. Shifrat mbeten vetëm nje tregues i pjesshëm i kësaj pune.

5-Çfarë mendon se nuk shkon me këtë profesion në Shqipëri?

Jona: Tek kjo pyetje do të prek një temë që na prek shumë ne blogereve, megjithëse jo gjithmonë e flasim me zë këtë cështje. Kjo është kur ne flasim për dicka të caktuar, qoftë ngjarje të caktuara që ndodhin, qofshin produkte apo vende ku ka gjëra që lënë për të dëshiruar dhe unë përgjithësisht mundohem të jem 100% e sinqertë në atë që them, por shumica e njerëzve ose të cilesojnë si negative, me mendim ndryshe nga shumica, ose palët që s’janë në interes të asaj që thua të sulmojnë dhe kjo bëhet diçka e shëmtuar.

Profesion ose jo, bloggeret apo siç edhe njihen si influencuese, kanë krijuar ‘terren’ në vendin tonë. Ndoshta nuk kanë të njëjtën pagesë dhe luks si ‘koleget’ e tyre nëpër botë, por privilegjet ama i kanë. Disa më pak e disa më shumë./ZËRI

Poll

MOS HUMB