
TIRANË- Veprat letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhen në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Rama, i cili tha se familjarët e Kadaresë kanë dorëzuar në arkiva të gjithë koleksionin e tij, ku përfshihen dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.
“Familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Ato u dorëzuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave nga vajza e shkrimtarit, Gresa Kadare.
“Nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris para disa viteve i janë afruar plot institucione të huaja, qofshin franceze, Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht një pjesë të arshivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princetone në Neë York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Unë i thashë më vonë si e ke menduar, në diskutim mes ne të dyve. Çfarë do të bëhet me arkivën tënde, të marrim një vendim. Nuk di tha ç’të bëj sepse dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë në mënyrë subliminale vendosa me iniciativën t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total sepse është shumë e vështirë qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur, pashë në zyrën tuaj kodikët e Beratit, që prehen këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë, pranë kodikëve të Beratit”, tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, tha se ky është një nder dhe një përgjegjësi për Arkivat shqiptare që tashmë janë pasuruar me një fond të rrallë të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.
“Të gjithë këto dorëshkrime janë pjesë e arkivave për ruajtje, dixhitalizim, restaurim, si një hap i rëndësishëm për të mos patur asnjë humbjen e pasurive të mëdha kombëtare. Në këto vite Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka patur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë, që nga Lasgush Poradeci”, u shpreh ai.
Bëhet me dije se në materialet e dorëzuara në bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Po ashtu janë dorëzuar blloqe me shënimet e tij, albume me foto familjare si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare më 1 Korrik 2024. Autori më i madh i letrave shqipe, la pas një trashëgimi të pashlyer me veprat e tij. Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar që është kandiduar pesë për të fituar çmimin Nobel në Letërsi. /ZËRI