LIVE UPDATES

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin 5-katësh: Një viktimë, 10 të asfiksuar, një burrë në kërkim (EMRAT)

♦Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Elbasan, ku një apartament në një pallat 5-katësh është përfshirë nga flakët pas një shpërthimi të fuqishëm. ♦Paraprakisht, dyshohet se shpërthimi i fuqishëm është shkaktuar nga një bombol gazi, megjithatë ende nuk ka një version zyrtar. ♦Flakët nisën fillimisht në apartamentin në katin e 3-të, dhe më pas u përhapën duke rrezikzuar jetën e të gjithë banorëve të cilët u evakuan menjëherë nga shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikëset. ♦Por, fatkeqësisht, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha humbi jetën si pasojë e zjarrit, e cila dyshohet se është asfiksuar dhe u nxorr e pajetë nga apartamenti i saj. ♦Ndërkohë, 10 persona të tjerë, mes tyre një fëmijë, ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. ♦Megjithatë, bilanci mund të rëndohet pasi sipas kryebashkiakut të Elbasanit, ende nuk është gjetur një 62-vjeçar, i identifkuar si Hamit Ibra. ♦Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, pasi tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin. Sipas specialistëve të inxhinierisë së ndërtimit, nga verifikimet paraprake, pallati është tërësisht i pabanueshëm.

7 artikuj për këtë temë.
42 MINUTA ME PARE

'U hodha nga kati i dytë për të shpëtuar', banori i pallatit në Elbasan: Nuk kam ku të fle

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
banori i pallatit

ELBASAN Shpërthimi i fuqishëm në pallatin 5 katësh në Elbasan ka lënë pas jo vetëm dëme të mëdha materiale, por edhe banorë të traumatizuar, të cilët u përballën me momente rreziku për jetën. Njëri prej tyre tregon se për të shpëtuar është detyruar të hidhet nga ballkoni i banesës e cila ndodhej në katin e dytë. 

Banori rrëfen se gjatë shpërthimit dera e ballkonit e ka goditur në kokë duke bërë që të kërkojë ndihmë mjekësore. Por momentet më të vështira ishin ato kur djali ndodhej i bllokuar brenda dhomës dhe ai nuk kishte mundësi ta nxirrte.

Situata u bë edhe më e rëndë pasi struktura e katit të tretë kishte zënë një pjesë të dhomës së gjumit dhe hyrjen, duke e bërë të pamundur daljen nga banesa. Fatmirësisht bashkëshortja e tij mbërriti në kohë dhe arriti të hapte derën duke nxjerrë djalin.

Pas ngjarjes banori thotë se ka mbetur pa një strehë ku të qëndrojë, ndërsa nuk e di ende se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

“E kam shtëpinë në katin e dytë dhe tani nuk kam ku të qëndroj. Më ra dera e ballkonit në kokë. Djali është në dhomën e tij dhe të të thërrasë djali e të mos kesh mundësi ta ndihmosh?! Unë u hodha nga kati i dytë. Shpëtova vetëm djalin e madh, sepse i vogli po vinte nga shkolla me të ëmën. Djalin e madhe e kam ne Tiranë.

Dola në ballkon dhe bërtita: “O zjarrfikësit!”. Sapo erdha nga spitali, ku mora pak ndihmë mjekësore. Ku të fle unë tani? Kujt t'i bie në qafë?

Nuk e di pse ka ndodhur shpërthimi. Nuk jam ekspert për çështjet e shpërthimeve. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Nuk e di çfarë ka ndodhur, di vetëm që soleta e katit të tretë ka zënë dhomën e gjumit dhe derën edhe nuk dilja dote qe te hapja heren qe te nxirja djalin, por fatmiresisht erdhi bashkeshortja nga shkolla qe hapi deren dhe nxori djalin.”, u shpreh banori./ZËRI

59 MINUTA ME PARE

Dyshohet se ka mbetur mes rrënojave të pallatit, ende mister fati i 62-vjeçarit, pritet ndërhyrja e ushtrisë (EMRI)

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
pamje nga vendngjarja

ELBASAN- Një viktimë dhe 10 të plagosur është deri më tani bilanci i shpërthimit të fuqishëm në një pallat 5-katësh në Elbasan, ndërsa një tjetër person rezulton ende i zhdukur.

Mësohet se një 62-vjeçar, i identifikuar si Hamit Ibra, ka humbur kontaktet me familjarët dhe aktualisht po kërkohet për gjetjen e tij në rrënoja. Dyshohet se 62-vjeçari, baba i katër fëmijëve, në momentin e shpërthimit ndodhej në dhomën e tij të gjumit. Megjithatë, fati i tij vijon të mbetet mister, ndërsa deri më tani nuk ka një informacion zyrtar nga Policia lidhur me vendndodhjen e tij.

Për shkak të rrënojave dhe vështirësive në ndërhyrje, pritet angazhimi edhe i forcave të specializuara të kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura, për të vijuar operacionin për gjetjen e 62-vjeçarit.

Si pasojë e zjarrit mbeti viktima 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila u gjet e pajetë brenda apartamentit të saj. Ndërkohë, 10 persona të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, të asfiksuar ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. /ZËRI

2 ORE ME PARE

'Nuk hyja dot nga tymi i zi', banori tregon momentet kur nxori nënën dhe bashkëshorten nga banesa pas shpërthimit

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
banori i pallatit

ELBASAN- Shpërthimi i fuqishëm në pallatin 5 katësh në Elbasan u shoqërua me momente paniku dhe përpjekje për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda banesave. Mes banorëve që u përballën me situatën ishte edhe një prej tyre i cili, sapo dëgjoi shpërthimin u nis me drejt shtëpisë për të nxjerrë familjarët e tij.

Në momentin e ngjarjes ai ndodhej në një lokal pranë pallatit. Me të mbërritur në banesë gjeti nënën dhe bashkëshorten, të cilat arriti t'i nxirrte jashtë nëpërmjet dyerve të ndryshme. Përpjekja për të ndihmuar edhe banorët e tjerë u bë e pamundur për shkak të tymit të dendur që kishte përfshirë ambientet.

Nëna e tij ndodhet aktualisht në spital pasi ka pësuar probleme me tensionin, ndërsa bashkëshortja është në gjendje të mirë shëndetësore. Banori rrëfen gjithashtu se në pallat ka pasur persona të tjerë të dëmtuar dhe se kishte dëgjuar për vdekjen e një gruaje të moshuar që jetonte në katin e katërt.

“Dëgjova zhurmën dhe u turra me vrap bashkë me shokun tim, ika në shtëpi. Shihja plakën që ishte e shtrirë, pashë edhe nusen. Kapa plakën dhe e nxora jashtë shumë shpejt, mora edhe nusen dhe e nxora nga dera tjetër. Dera e hyrjes kishte rënë në tokë, sepse unë i kam dy dyer dhe një tjetër. Doja të shpëtoja edhe të tjerët, por kishte shumë tym të zi dhe nuk hyja dot. Ka shumë dëmtime te njerëzit këtu. Më thanë se ka vdekur një grua në katin e katërt, e moshuar, për të tjerë nuk kam dëgjuar. Në spital shkoi edhe një familje tjetër. Erdhën, por i pyeta dhe ishin mirë. Për personin që rezulton i zhdukur nuk kam informacion. Unë isha te lokali, këtu e kam shtëpinë. Sapo dëgjova shpërthimin, u nisa me vrap drejt banesës dhe nxora plakën. Madje, e kam në spital tani, nga tensioni. Nusen e kam mirë.” tha banori./ZËRI

2 ORE ME PARE

Policia del me njoftimin zyrtar për shpërthimin në Elbasan: Zjarri nisi në katin e 3-të në rrethana të paqarta

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
pamje nga vendngjarja

ELBASAN- Policia e Elbasanit ka dhënë detaje zyrtare për ngjarjen e rëndë që tronditi pasditen e sotme qytetin, pas zjarrit dhe shpërthimit në një pallat 5-katësh. Sipas njoftimit, flakët kanë përfshirë fillimisht një banesë në katin e tretë të pallatit, në lagjen “Qemal Stafa”. Si pasojë e ngjarjes ka humbur jetën një 82-vjeçare, ndërsa 10 banorë të tjerë kanë mbetur të asfiksuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit. 

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.

Si pasojë, ka humbur jetën, banorja në të njëjtin pallat, shtetasja H. B., 82 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 10 banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.

3 ORE ME PARE

Detaje nga shpërthimi në Elbasan, bilanci mund të rëndohet, kryebashkiaku: Një 69-vjeçar ende i zhdukur

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
vendngjarje-kryebashkiaku

ELBASAN- Një grua 83-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të fuqishëm në një pallat në Elbasan, ndërsa bilanci tragjik mund të rëndohet. Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka deklaruar për mediat se vijojnë kërkimet për gjejtn e një 69-vjeçari që rezulton ende i pagjetur.

Sipas tij, zjarri është konstatuar fillimisht në katin e tretë të pallatit dhe më pas është përhapur. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të rënda strukturore në ndërtesën pesëkatëshe, ku një nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm.

“Një shpërthim ka ndodhur në një pallat 5-katësh. Është vënë re një dëmtim i strukturës së pallatit. Kemi pasur një shembje të katit të 4t, i cili ka rënë në katin e 3-të, si dhe të shkallëve lidhëse nga kati i 3-të në katin e 5-të.

Në momentin e shpërthimit ka pasur fillimisht një zjarr në katin e 3-të, i cili është përhapur. Kemi pasur, fatkeqësisht, një humbje jete, një grua 83-vjeçare, e cila ishte në katin e 5-të. Një 69-vjeçar akoma nuk është gjetur. Kemi pasur 10 persona që janë dërguar në spital për ndihmë dhe kontrolle mjekësore.

Njëri nga sektorët e pallatit është bërë i pabanueshëm dhe besojmë se do të jetë e pabanueshme një pjesë e pallatit, por i gjithë pallati paraqet probleme”, u shpreh ai.

3 ORE ME PARE

Shpërthimi në Elbasan, MSH: Viktima 83-vjeçar, 8 persona në spital, mes tyre një fëmijë

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
pamje nag vendngjarja-elbasan

ELBASAN- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka konfirmuar vdekjen e 83-vjeçares si pasojë e zjarrit në një apartament në Elbasan. Sipas të dhënave të MSH, 8 persona, mes tyre edhe një fëmijë, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një pallat banimi në qytetin e Elbasanit, sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.

Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje.

Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.

Informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore", njofton ministria.

4 ORE ME PARE

E rëndë! Shpërthimi i fuqishëm në apartamentin në Elbasan, humb jetën 83-vjeçarja, 8 persona në spital

Shpërthim fatal në Elbasan/Digjet apartamenti në pallatin
pamje nga zjarri ne elbasan

ELBASAN- Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mesditën e sotme në një apartament në qytetin e Elbasanit, në lagjen "Beqir Dardha". Flakët u përhapën në të gjithë pallatin, ku për pasojë një 83-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Mësohet se shpërthimi i fuqishëm shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë, duke shembur muret e apartamentit dhe një pjesë të shkallëve të pallatit. Saka, evakuimi i banorëve është bërë nga shkallët e zjarrfikësve që mbërritën menjëherë në vendngjarje bashkë me policinë dhe ekipet e emergjencës.

Ndërkohë, mbeten ende të paqarta shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit. Pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në vijim./ZËRI

MOS HUMB