Aktualitet

Shpërthimi në pallatin 5-katësh në Elbasan, bashkia do të paguajë qiranë e 15 familjeve të prekura

Bashkia e Elbasanit ka përgatitur kontratat 1-vjeçare për përfitimin e bonusit të qirasë, të cilat janë nënshkruan tashmë nga 15 familjet

zh.ll
Shpërthimi në pallatin 5-katësh në Elbasan, bashkia do
pamje nga rrenojat e pallatit pas zjarrit

ELBASAN- 15 familjet e prekura nga shpërthimi në pallatin e lagjes “Qemal Stafa” në Elbasan do të përfitojnë bonus qiraje nga bashkia, deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës së banimit.

Bashkia e Elbasanit ka përgatitur kontratat 1-vjeçare për përfitimin e bonusit të qirasë, të cilat janë nënshkruan tashmë nga 15 familjet. Afati fillestar i mbështetjes është 1 vit, por mund të zgjasë deri në përfundimin e punimeve për pallatin. 

Këshilli Bashkiak do të miratojë me procedurë të përshpejtuar vendimin për strehimin e banorëve pas hartimit të aktit përfundimtar të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit.

Banorët do të strehohet në bazë të ligjit për emergjencat civile. Gjithashtu janë testuar edhe çmimet e tregut që do të paguhen nga bashkia deri në akomodimin përfundimtar të qytetarëve. Aktualisht, 15 familjet që u prekën nga shpërthimi në pallatin në Elbasan janë akomoduar në në konvikt të bashkisë.

Çfarë ndodhi në pallatin 5-katësh në Elbasan?

Shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në një pallat pesëkatësh në Elbasan ndodhi pasditen e 4 nëntori, duke shkaktuar dy viktima dhe 10 të plagosur. Hamit Ibra, 69 vjeç, është viktima e dytë e shpërthimit, trupi pajetë i të cilit, u gjet nën rrënoja pas 17 orësh kërkimesh. Viktima e parë, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, u raportua disa minuta pas zjarrit. Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se dyshohet që shkak i zjarrit tragjik të ketë qenë prania e një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit. Nga hetimet, rezulton se ka pasur rrjedhje te gazit brenda apartamentit të 69-vjecarit, aty ku u konstatua zjarri dhe më pas u përhap në të gjithë godinën. Pallati 5-katësh, i ndërtuar në vitet ’70-‘80, është shpallur i pabanueshëm për shkak të dëmeve të rënda. Sipas drejtoreshës së Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, pallati duhet të shembet./ZËRI

MOS HUMB