TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ndarë një mesazh nga burgu përmes një videoje të realizuar me Inteligjecë Artificiale (IA), pas akuzave dhe kërcënimeve të pretenduara nga vetë ai për largimin e tij nga Bashkia e Tiranës. Valiaj bën një përbledhje të situatës së tij lidhur me drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit, duke e cilësuar persekutim politik. Sipas Veliajt, pavarësisht kësaj, ai ka vijuar të punojë për Tiranën, teksa shton projektligjet e miratuara për 15 çerdhe.
“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!
Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!
Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, tha Veliaj.
Ky reagim i Veliajt vjen pas 'luftës' së hapur tashmë mes tij dhe kryeministrit Rama, pas pretendimeve të kryebashkiakut se është kërcënuar nga kreu i qeverisë. Në disa reagime publike, duke publikuar edhe letra të shkruara prej tij, Veliaj pretendon se transferimi i tij nga burgu i Durrësi në atë të Fierit, është bërë me urdhër të Ramës. Madje, sipas tij, ai e akuzon kryebashkiakun për organizim protestash, çka ka mjaftuar që mes tyre të nisë një 'luftë' në distancë./ZËRI