Aktualitet

Ulja e çmimit të energjisë, Balluku porosi OSHEE: Sahatët të maten brenda 30 ditëve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i la porosi punonjësve të OSHEE që faturat të maten brenda 30 ditëve

I.F
Ulja e çmimit të energjisë, Balluku porosi OSHEE: Sahatët
Belinda Balluku

TIRANË- Prej datës 1 shkurt, çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë do të ulet me 10.5%. kjo vlen vetëm për ata abonentë që nuk kalojnë 700 KËh në muaj. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi zhvilluan një takim me punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i la porosi punonjësve të OSHEE që faturat të maten brenda 30 ditëve, në mënyrë që abonentët të mos humbin uljen me 10.5% të çmimit për mos kalimin e konsumit mbi 700 KWH në muaj.

“Tashmë duke filluar nga data 1 Shkurt OSHEE do të aplikojë një çmim të ri 10.5% më të ulët për të gjithë abonentët familjarë, të cilët janë më shumë se 1 milion ose e thënë ndryshe rreth 95% janë abonentë familjarë. Duke qenë se i kemi vendosur një faturim me kategori konsumi dhe jo fashe do të kërkohet nga ana juaj përpikmëri sa i përket matjes. Do të jetë një matje 30 ditore, nuk duhet të ketë vonesa, pasi nëse ju do të masnit më gjatë se 30 ditë, abonenti mund të kalojë konsumin prej 700 KËh dhe të humbë kështu uljen prej 10.5% të çmimit. Për këtë arsye do të merren një sërë masash që kanë filluar dhe jo vetëm shtimi i rradhëve tuaja, i cili është i domosdoshëm, deri në zgjidhjen përfundimtare të matësve inteligjentë, por edhe masa të tjera administrative dhe teknike”, tha Balluku.

Ndërsa Dalipi shtoi se të gjithë lexuesit e matësve të energjisë elektrike duke filluar nga 1 shkurti do të gjurmohen dhe në aparatin e tyre do të instalohet një program, ku do të shënojnë të dhënat mujore. Më tej, administratori i OSSH shtoi se ky ndryshim do të bëhet që të kryeht verifikimi it ë dhënave nëse ka ankesa nga konsumatorët.

“Të gjithë lexuesit sot kur kryejnë procesin e leximit që e quajmë PDA, nëpërmjet këtij aparati shkojmë në vendin ku është instaluar matësi i energjisë elektrike. Dhe në mënyrë manual hidhen të dhënat në aparat, që është i lidhur me qendrën, dhe nëpërmjet stafit procesohet hedhja e të dhënave dhe printohet fatura. Të gjithë lexuesit të jenë prezent dhe asnjë faturim të mos bëhet në mënyrë fiktive, në aparat kemi shtuar edhe një verifikim që do të bëjë të mundur identifikimin në momentin e leximit, pra gjeo-lokacion. Në momentin që nga konsumatorët do të ketë ankesa se lexuesi nuk ka qenë në vendin e duhur dhe në datën e duhur, ne do të bëjmë verifikimin përmes këtij aparati. Kemi identifikuar të gjithë abonentët që janë deri në 700 kilovat dhe ata që janë mbi 700 kilovat, janë shtuar filtrat dhe në mënyrë automatike, dhe nëse ai ka harxhuar deri dje nën 700 kilovat dhe me faturimin e ri kalon mbi ne kalojmë në proces verifikimi”, tha Administratori i OSSH, Blendian Dalipi.

Po ashtu, Karakaçi tha se për të pasur lexim të saktë të matësve të energjisë dhe në kohën e duhur do të shtohen edhe 120 punonjës të tjerë lexues.

“Është hapur aplikimi për 120 lexues të rinj. Në datë 5 shkurt një fazë e parë e aplikimit. Në 2024 kemi 30% të ankesave për keq faturim më pak se viti 2023. Puna juaj ka përmirësimet e veta”, tha Kakaraçi.

Më 8 janar ERE mori vendimin që abonentët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat/orë energji në muaj, prej 1 Shkurtit do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat/orë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht. Ndërsa abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovat/orën për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar. çmimi do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa tarifa u propozua nga Operatori i Shpërndarjes i Energjisë Elektrike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB