TIRANË- 7 Marsi i njohur si Dita e Mësuesit, është një datë me rëndësi të madhe simbolike dhe historike për Shqipërinë. Kjo datë lidhet me hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe, në Korçë, më 7 mars 1887, një akt rezistence kundër ndalimit të mësimit në gjuhën shqipe gjatë sundimit osman. Që atëherë, kjo datë nderohet si Dita e Mësuesit, personi i cili rrit dhe edukon brezat e rinj, dhe gjithashtu, mban gjallë dijen dhe kulturën kombëtare.
Por si paguhet sot mësuesi shqiptar dhe sa larg është ai me kolegët e tij në Europë?
Paga e të mësuesve në Shqipëri, mbeten dukshëm më të ulëta se paga e të mësuesve në Bashkimin Europian. Sipas një raporti të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), shumë prej vendeve të BE-së ofrojnë paga shumë herë më të larta për mësuesit me përvojë.
Për shembull, pagat e mësuesve me rreth 15 vite përvojë luhaten nga 23 mijë euro në Sllovaki, e deri në 77 mijë euro në Gjermani, Luksemburg dhe Hollandë.
Në Shqipëri, pas rritjes së pagave që hyri në fuqi në vitin 2024, një mësues me kualifikim mesatar në arsimin parauniversitar, paguhet rreth 950 euro në muaj. Qeveria përmes një VKM-je në datën 27 shkurt 2026, vendosi që të indeksonte me 2.5% pagat për Administratën Publike, ku përfshihen dhe mësuesit. Për mësuesit do të përllogaritet për herë të parë edhe vjetërsia në punë.
Arsimi shqiptar përballet me rezultate të dobëta në standardet ndërkombëtare të vlerësimit, si PISA, ku shpeshherë vendi ynë është renditur gati në fund të tabelës, duke na lënë pas edhe Kosova. Edhe pse jemi në vitin 2026, në Shqipëri ka ende mungesë burimesh dhe infrastrukture në arsim, veçanërisht në zonat rurale, e ndërsa në kryeqytet përballemi me shkolla me dy turne dhe klasa të tejmbushura.
Në një botë ku arsimi është themeli i zhvillimit të një shteti, forcimi i statusit profesional të mësuesve, përmirësimi i pagave dhe investimi në arsim cilësor, janë hapa thelbësor në të ardhmen e vendit.
Gjithsesi, gëzuar 7 Marsin të gjithë atyre mësuesve, që pavarësisht pagës dhe kushteve të punës, përkushtohen maksimalisht për të rritur dhe edukuar brezin e ri./ZËRI