BRITANI- Mund të duket e pabesueshme! Por qeveria britanike ka paralajmëruar se ruajtja e fotove, videot dhe email-eve të panevojshme është tashmë një “kosto për planetin”. Sepse çdo e dhënë digjitale që qëndron në telefonat tanë kërkon energji dhe ujë për t’u ruajtur.
Kjo nismë vjen pasi Anglia ka kaluar nëpër gjashtë muajt më të thatë të regjistruar që nga viti 1976, duke shkaktuar nivele alarmante në rezervuarët dhe burimet ujore, si dhe rritje të thatësirës në shumë rajone.
Për të përballuar këtë krizë qeveria angleze ka nisur një fushatë kombëtare, duke vënë theksin tek qytetarët për të nisur nga vetja e tyre, duke fshirë email-et, fotot dhe videot e panevojshme nga telefonat e tyre.
Po pse pikërisht kjo masë?
Gupi Kombëtar i Thatësirës në Angli, duke përfshirë agjencitë mjedisore dhe kompanitë e ujit, ka sugjeruar që qytetarët të fshijnë email-et dhe fotot e vjetra. Kjo për shkak se qendrat e të dhënave (data centers) konsumojnë shumë ujë për të ftohur serverat.
Mirëpo, ky pretendim është quajtur absurd nga Edmond Barnett, analist i data centers, i cili shprehet se ftohja e 5 GB të dhënash kërkon vetëm 79 ml ujë, ndërsa një sekondë dushi harxhon afërsisht 150-317 ml ujë, duke theksuar se këto masa që propozon qeveria mund të kenë një ndikim tejet minimal për ruajten e burimeve ujore.
View this post on Instagram
Gjithashtu, ekspertët shprehen se nuk është e sigurt që email-et ose fotot e fshira ruhen në qendra të të dhënave në Britani, pasi ato mund të jenë jashtë vendit, duke bërë që çdo kursim të ndikojë në burime të tjera ujore dhe jo vendase.
Dhe ndoshta ekspertët mund të kenë të drejtë kur thonë se fshirja e fotove nuk e shpëton Anglinë nga thatësira, por kjo fushatë na kujton diçka që e harrojmë në përditshmëri. Edhe bota dixhitale ka pasojat e saj fizike në planet. Kujdesi për mjedisin mund të nisë edhe nga telefoni që mbajmë në xhep./ZËRI