
TIRANË- Tre shqiptarë (baba, bir dhe xhaxha) janë arrestuar nga autoritetet greke si autorë të dyshuar të vrasjes së noterës 69-vjeçare Mariza Tertseti Papadata, e cila u gjet e pajetë pranë shtëpisë së saj në Zakynthos në muajin shkurt. Emrat e të ndaluarve nuk janë bërë publikë. Në lidhje me ngjarjen xhaxhai dhe nipi kanë rrëfyer para autoriteteve greke se ishte babai, ai i cili goditi për vdekje me thikë noteren 69-vjeçare.
Dy vëllezërit shqiptarë ishin dakordësuar për të grabitur viktimën, për të cilën kishin dijeni se mbante para në banesë. Të dy u strehuan në një ambient me qira të marrë nga djali, i cili kishte rolin e shoferit dhe të nesërmen, të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska, i zunë pritë viktimës pranë banesës së saj. Sipas dëshmisë, kur ajo u përpoq të rezistonte, ndodhi përplasja fatale. Noterja u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe. Pas ngjarjes, babai dhe xhaxhai u larguan në këmbë për më shumë se një orë, deri sa djali i mori me makinë. Rrobat e përgjakura u dogjën dhe arma e krimit u zhduk. Të nesërmen, djali i noteres e gjeti nënën e vdekur në hyrje të shtëpisë dhe njoftoi policinë. Vetë personi që e ka qëlluar, nuk e ka pranuar autorësinë.