TIRANË-Një grup kriminal i dyshuar për shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në zona të ndryshme të Tiranës është goditur nga policia. Si rezultat i operacionit, 4 persona janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas verifikimeve, reuzlton se 6 personat janë pjesë e dy grupeve të ndryshme kriminale që bashkëpunonin në këtë fushë. Ndërsa anëtarë të tjerë të këtyre dy grupeve ishin arrestuar edhe më parë në flagrancë gjatë aksioneve të mëparshme. Sa i përket shitjes së armatimit, hetuesit kanë zbuluar çmimet që aplikoheshin në tregun e zi. Pistoletat shiteshin me çmime që shkonin deri në 1500 euro, ndërsa armët automatike të llojit kallashnikov kapnin vlerën deri në 2500 euro, në varësi të porosive. Grupi kishte ngritur një rrjet të shtrirë në terren dhe bazat ku ata vepronin ose mbanin armatimin ishin të vendosura në disa zona të ndryshme të Tiranës, çka bënte që aktiviteti të ndryshonte shpesh lokacion për t’i shpëtuar vëzhgimit të policisë. Sakaq, operacioni vazhdon me kapjen e dy të shpallurve në kërkim, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
/ZËRI