Video

Kodi i Ri Penal/ Ekspertët skeptikë, Arbana: Tolerancë për pedofilinë dhe dhunën ndaj të moshuarve

Ajo theksoi gjithashtu se në këtë draft ka pikëpyetje serioze në lidhje me zbatimin në praktikë.

l.k

Kodi i Ri Penal/ Ekspertët skeptikë, Arbana: Tolerancë për    

TIRANË- Drafti i ri i Kodit Penal, i prezantuar në korrik nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe grupi i ekspertëve i kryesuar nga Arben Rakipi, u prit me kritika të shumta nga shoqëria civile, profesionistë të fushave të caktuara, gazetarë si dhe nga partitë politike. Në draftin e ri janë propozuar një sërë ndryshimesh për vepra të caktuara penale, sidomos përsa i përket mbrojtjes ligjore ndaj grave dhe vajzave.


Lidhur me këto ndryshime, “Zëri” pyeti Vasilika Hysin, avokate prej shumë vitesh, e cila mbulon në shumë raste seancat gjyqësore raste të grave dhe vajzave të dhunuara. E pyetur nga “Zëri” se sa efikasitet mund të sjellë drafti i ri i Kodit Penal për mbrojtjen e grave dhe vajzave, znj. Hysi u shpreh se nenet për mbrojtjen e tyre janë hartuar në bazë të Konventës së Këshillit të Evropës, ku Shqipëria bën pjesë që nga viti 2018.

“Kodi i ri Penal ashtu sikurse disa nene të tjera që janë propozuar paraqesin risi të rëndësishme misdis tyre është dhe pakti i Ndëshkimit të ngacmimit seksual dhe degradimit të integritetit të femrës dhe dënimi nga 3-6 vite. Këto janë dispozita që kanë munguar në kodin penal, por kanë të bëjnë me aderimin e Shqipërisë në Konventën e Këshillit të Evropës kundër trafikimit të organeve njerëzore, ku Shqipëria ka aderuar në vitin 2018 dhe e ka njohur këtë konventë, si detyrim sepse është anëtare e Këshillit të Evropës dhe ka detyrimin ligjir që këto nene t’i bëjë të zbatueshme në kodet, në ligjet shqiptare dhe në kodin penal”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi më tej se, nëse ligjet nuk gjejnë zbatim në institucionet përkatëse, mund të përsëritet e njëjta situatë si më parë, ku viktimat e dhunës shpesh nuk kanë gjetur zgjidhje dhe janë ndjerë të pambrojtura nga ligji.

“Është e nevojshme fuqizimi i institucioneve shtetëore për mbrojten, për këshillimin apo për edukimin seksual nëpër shkolla. Sepse shpesh ka pasur probleme dhe ka hasur shpeshherë boshlleqe duke pasur akoma dhe më shumë dhunë se sa ndihma që do t’i ofrojë një personi që ka probleme për mbrojtjen nga dhuna. E njëjta gjë mund të ndodhë nëse nuk fuqizohen institucionet shtetërore për mbrojtjen e grave apo të gjithë qytetarëve në këto lloj situatash”, u shpreh Znj. Hysi.


Të njëjtin shqetësim e ndau për “Zërin” edhe Sevim Arbana, e cila që prej vitit 1993 drejton organizatën “Useful to Albanian Women”, në ndihmë të grave dhe vajzave të dhunuara.

Znj. Arbana u shpreh se, për herë të parë, kemi një Kod të ri të trefishuar në përmbajtje, por që nuk është konsultuar me asnjë nga aktorët që do ta zbatojnë këtë Kod Penal. Ajo theksoi gjithashtu se në këtë draft ka pikëpyetje serioze në lidhje me zbatimin në praktikë.


“Kemi një Kod Penal të trefishuar në nene dhe kjo është mirë, sepse Shqipëria nuk është më ajo e ’95 apo ‘96, por Shqipëria e 2025, me një mori problematikash, një vend as komplet evropian, as komplet shqiptar. Këtu fillon pikëpyetja shumë e madhe. Na sillet një Kod, i cili nuk konsultohet fillimisht me të gjithë grupet e interesit. Këtu kam parasysh jo vetëm ne si shoqëri civile, gazetarët, juristët, prokurorët dhe gjyqtarët, zbatuesit, por edhe ne nga ku burojnë problematikat. Duke pasur një ligj efektiv, shumë të mirë, shumë të saktë, pa pikëpyetje dhe pa gjëra të pasqaruara teknikisht, atëherë këtu do të ketë pikëpyetje dhe gjyqet do të shkojnë në disfavor të viktimave, ose do të zvarriten, ose do të jenë të pamundura të zhvillohen.”, u shpreh ajo.


Ndër të tjera, znj. Arbana theksoi se kodi është pak tolerant sa i përket pedofilisë dhe ngacmimeve seksuale. Ajo shtoi se nuk trajtohet dhuna ndaj të moshuarve në familje dhe në komunitetet rom dhe egjiptian, duke i përjashtuar këto grupe sociale nga mbrojtja ligjore.


“Do isha më kritike për përdhunimet ndaj femrave dhe grave, që ligji është pak tolerant dhe sapo e prek pak për pedofilinë. Nuk preket dhuna ndaj të moshuarve, që është një fenomen i viteve të fundit, dhuna që kryhet në familje ndaj të moshuarve, është dhunë jo vetëm psikologjike dhe ekonomike, por kemi shumë raste edhe dhunë fizike ndaj të moshuarve. Ne kemi një problem shumë të madh që janë grupet rome, ato martohen në moshën 12-vjeçare. Kodi penal duhet ta prekë këtë, sepse ato janë një grup i konsiderueshëm. Absolutisht tolerancë zero për bugaminë, pedofilinë, bashkëjetesën me të miturit, dhunën ndaj fëmijëve, dhunën ndaj grave, femicidin.”, u shpreh znj. Arbana.


Një shqetësim tjetër që ngriti znj. Arbana kishte të bënte me masën e dënimit me burg për shumë vepra penale. Ajo theksoi se kodi duhet të parashikojë mënyra më të buta ndëshkimi për autorët e krimeve, në mënyrë që të luajë edhe një rol edukativ dhe jo thjesht ndëshkues.


“Ligji edukon. Ky është qëllimi kryesor i ligjit, unë jam kundër dënimit me burg. Ndërsa për pjesën tjetër, mendoj se duhet të ketë më pak dënime penale. Ligji ka dhe forma të tjera ndëshkimi.”, përfundoi ajo./ZËRI

Poll

MOS HUMB