Video

“Peshkaqeni” që ndryshoi fytyrën për tu shpëtuar autoriteteve, kush janë Tropoja dhe Naimi

Arrestimi i zotit të drogës është një nga kapjet më të mëdha nga sistemi i drejtësisë gjermane në vitet e fundit. Nga këndvështrimi i hetuesve është edhe një simbol që drejtësia gjermane ka nisur të depërtojë në rrjetet kriminale.

F.m
“Peshkaqeni” që ndryshoi fytyrën për tu shpëtuar
Princ Dobroshi

TIRANË- Në botën e krimit të organizuar, njerëzit fshihen pas nofkave. Lordi meksikan i drogës Joaquín Guzmán e quante veten "El Chapo"; Raúl Hernández, "El Lucky". Princ Dobroshi është “peshkaqeni”. Në një ditë të ngrohtë vjeshte, të hënën, 22 nëntor 2023, rreth orës 11.00, ai u shfaq para hetuesve.

Atë ditë, Princ Dobroshi po lëvizte me një fuoristradë nëpër rrugët periferike të Tiranës, kur efektivët e Policisë së Shtetit i prenë rrugën. Dobroshi doli jashtë dhe nuk bëri rezistencë.

Dobroshi kishte një urdhërarresti në Hamburg, pasi 60-vjeçari akuzohet për 11 raste të kontrabandës së kokainës, ose ndryshe dhjetra ton drogë që kanë zbarkuar në portin e Hamburgut. Drejtësia gjermane ndoqi gjurmët e Dobroshit për dy vite, më pas hetuesit shqiptarë ndërhynë për të dhënë ndihmë administrative.

Arrestimi i zotit të drogës është një nga kapjet më të mëdha nga sistemi i drejtësisë gjermane në vitet e fundit. Nga këndvështrimi i hetuesve është edhe një simbol që drejtësia gjermane ka nisur të depërtojë në rrjetet kriminale.

Të enjten e javës së kaluar, Dobroshi u ekstradua në Hamburg, duke shënuar edhe fundin e karrierës së tij kriminale. Vendi se ku do të strehohet derisa të dalë në gjyq do të mbahet i fshehtë, kjo sepse rreziku i arratisjes është shumë i madh.

 

Dhe Dobroshi nuk e ka për herë të parë. Ai ka qenë arrestuar edhe njëherë në mesin e viteve ’90, në Norvegji. Asokohe u arrestua për shpërndarje heroine dhe armësh. Dy vjet më vonë, hetuesit e kapën para hotelit Hilton në Pragë. Ai drejtonte një BMW dhe kishte me vete një automatik, një pushkë dhe një makinë numërimi parash. Për shkak se shokët e tij e dinin vendin ku mbahej, kishin planifikuar edhe ta rrëmbenin dhe ta lironin nga burgu, por plani u prish.

Prej janarit të vitit 2005, Princ Dobroshi është i lirë. Në atë kohë, sistemi norvegjez i drejtësisë e liroi atë më herët për sjellje të mirë. Ai u deportua në Kosovë.

Disa hetues menduan se ai kishte dalë në “pension" përsa i përket aktivitetit të tij kriminal, por u gabuan!

CV-ja e tij tregon sesa e organizuar ëshhtë mafia e drogës. Vit pas viti, prokurorët në Evropë kapin më shumë kokainë, por çmimi i rrugës vështirë se ndryshon. Arsyeja është e thjeshtë: ka ende më shumë se mjaftueshëm drogë që vjen në Europë nga vendet e Amerikës Latine. Zyrtarët federalë vlerësojnë se bandat e drogës në Gjermani gjenerojnë deri në dhjetë miliardë euro shitje në vit. Vetëm në vitin 2023, doganat sekuestruan rreth 40 ton kokainë, pjesa më e madhe do të zbarkohej në portin e Hamburgut. Edhe Dobroshi dyshohet se e ka kaluar kokainën e tij në këtë port, që çdo ditë pret më shumë se 5000 kontejnerë. 

Mund të ketë një ngarkesë kokaine pas çdo dere kontejneri. Dogana operon një objekt testimi dhe fut 60 kontejnerë në ditë përmes një tuneli me rreze X, por zakonisht droga kalon. 

Naim D., 41-vjeçari nga Kosova ishte personi që ofronte "shërbimin" e nxjerrjes së drogës nga porti, dhe ishte pikërisht ai personi që i dërgoi hetuesit te Princ Dobroshi.

Banda e Naim D. ishte një grup i larmishëm. Në përbërje kishte një kriminel me origjinë turke, një maqedonas dhe janë dy vëllezër nga klani 'Miri' në Bremen, i cili njihet për shumë lloje krimesh. Kishte dhe një shofer kamioni nga Italia dhe një nga Sllovenia. Pjesë e grupit ishin edhe tre punonjës të portit, Kay, Mirko dhe Ralph. Ky i fundit u bë drejtues ekipi në operatorin e terminalit Eurogate.

Naimi, siç tregojnë dosjet e hetimit, është i pari mes të barabartëve në bandën e tij. Sepse është i vetmi që ka kontakt me personat që qëndrojnë pas dërgesave të kokainës, që i thonë se ku do të jetë droga.

Punonjësit e portit falsifikojnë urdhrat e transportit dhe ngarkesa dërgohet në magazina. Ngjitësja mbi blloqet e drogës tregon se kush do të jetë marrësi i kokainës. Kontrabandistët komunikonin nëpërmjet telefonave celularë të enkriptuar "EncroChat". Nga bisedat e zbardhura, grupi i Naimit mburrej se ishin më të mirët. Por me çkodimin e aplikacionit, në vjeshtën e vitit 2021, grupi hetimor mori në duar një "mal" të dhënash.

Tashmë është arrestuar Naimi si dhe dhjetë bashkëpunëtorët e tij. Të gjithë heshtin për akuzat. Por hetuesit hasin në një bisedë në grup nga Naimi, i cili flet me dy persona të tjerë. Njëri ka kodin "Tropoja", tjetri quhet "Tedi". Për këtë të fundit, hetuesit janë të sigurt se është princ Dobroshi.

“Tropoja” shkroi në verën e 2020 se kishte në ofertë dy ton kokainë. Naim D. zotohet se do e nxirrte ai ngarkesën nga port. “Tropoja” pyet dy të tjerët se sa drogë të paketojë në kontejner. Duket se bëhet fjalë për porosi private nga “Tedi” dhe Naim D. Këta dy të fundit shkruajnë me njëri-tjetrin, në dialektin e Kosovës. Ndaj edhe ka dyshime se "Tedi" është Princ Dobroshi.

"Tedi" teksa i shkruante Naim D. u zemërua për një artikull të gazetës italiane për trafikun e kokainës. Në tekstin e lajmit ka dalë emri i Princ Dobroshit. Për më tepër që në shkrim thuhej se Princi Dobroshi i ishte nënshtruar një operacioni në disa zona të fytyrës së tij për të mos ngjasuar më me fotografitë e tij dhe për t'i shpëtuar Policisë. 

Dhe në fakt, po! Dobroshi kishte nisur një jetë të re. Përveç një sherri në vitin 2019, ai nuk kishte tërhequr më vëmendje. Ai kishte blerë dy shtëpi, njërën në Pejë dhe tjetrën në bregdetin shqiptar të Adriatikut. Nuk binte më fare në sy! Edhe pas arrestimit, ai punësoi disa avokatë, por heshti për akuzat e autoriteteve. Një hetues thotë se provat e deritanishme tregojnë në fakt se gjithë këtë kohë që ka qëndruar në hije, Princ Dobroshi ka qenë goxha aktiv.

Princi Dobroshi vitet e fundit ka fluturuar dhe dalë nga Dubai. Edhe Naim D. ka postuar një video në Facebook në vitin 2020 nga Burj Al-Arab, një nga hotelet më të shtrenjtë në botë. Në pamje, ai shfaqet i ulur në një tavolinë me miqtë. Sipas datave të udhëtimit, si Dobroshi, edhe Naim D., kanë qenë në Dubai në të njëjtën kohë. Dhe “Tropoja”, ende i paidentifikuar, mësohet të jetë në Dubai.

Prokuroria publike po heton dyshimin se Princ Dobroshi fillimisht e ka futur kontrabandistin Naim D. në kontakt me “Tropojën” dhe kështu është futur në biznesin e madh të kokainës.

A janë takuar këtu personalisht?

Ka mundësi! Dubai është qendra e kokainës. Në qiellgërvishtëse dhe restorante këta zotërinj argëtohen me lukset që i ofron vendi dhe më pas diskutojnë edhe për "biznes". Me këtë standard, është e logjikshme që Princ Dobroshi të mos përdorte më automatikë si dikur gjatë arrestimit të fundit në Tiranë. Dhuna zakonisht ndodh me kriminelët që i përkasin nivelit më të ulët, e sa më lart rriten në rangje, shtohet dhe vlerësohet qetësia./ZËRI/

Poll

MOS HUMB