SERBI- Një ditë përpara përballjes mes Serbisë dhe Shqipërisë në Leskovac, skuadra kuqezi zhvilloi këtë të premte seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Duboçica”. Vëmendjen e të gjithëve e ka tërhequr fakti se në ambientet e stadiumit mungon flamuri shqiptar, një veprim që konsiderohet si provokim dhe shkelje e etikës sportive nga Federata Serbe e Futbollit.
View this post on Instagram
Ky gjest ka ngjallur reagime, ndërsa pritet që UEFA dhe FIFA të ndërhyjnë për të kërkuar vendosjen e flamurit kombëtar të Shqipërisë, siç e kërkon protokolli zyrtar ndërkombëtar. Ndeshja është cilësuar me rrezikshmëri të lartë nga FIFA, e cila ka dërguar në terren dy oficerë sigurie.
Për shkak të tensioneve politike dhe frikës nga incidentet, takimi nuk do të luhet në Beograd, por në Leskovac, ndërsa Federata Serbe nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje. Të gjithë 6,500 spektatorët që do të jenë në tribuna janë përzgjedhur me ftesa, kryesisht nga akademitë e futbollit. Serbia gjithashtu është e detyruar ta zhvillojë ndeshjen me reduktim prej 20% të kapacitetit të stadiumit, si pjesë e një dënimi të mëparshëm.
Sipas marrëveshjes mes dy federatave, asnjë tifoz shqiptar nuk do të jetë i pranishëm në stadium, një rregull që vlen edhe për ndeshjen e kthimit në Shqipëri./ZËRI