Video

Qiratë, Airbnb-t dhe kullat! Perspektiva e urbanistes Dorina Pojani mbi sfidat e strehimit në Tiranë

Lidhur me këtë temë kemi kënaqësinë të kemi të ftuar Dorina Pojanin, një urbaniste dhe akademike e cila jeton në Australi.

Loreta Koleci
Qiratë, Airbnb-t dhe kullat! Perspektiva e urbanistes Dorina Pojani mbi
foto ilustruese

TIRANË- Strehimi në Tiranë është bërë një sfidë e papërballueshme për shumë qytetarë të cilët kanë zgjedhur që jetën e tyre ta zhvillojnë në këtë qytet. Lidhur me këtë temë kemi kënaqësinë të kemi të ftuar Dorina Pojanin, një urbaniste dhe akademike e cila jeton në Australi.

Përshëndetje Dorina, mirë se na erdhe!

DORINA: “Mirë se ju gjeta, faleminderit për ftesën!

Dorina, kemi zgjedhur katër foto për të kuptuar si aspektin e strehimit, ashtu edhe aspektin urbanistik të qytetit sot në Tiranë. Kështu që le ta nisim me foton e parë. Kjo është një foto nga pallatet e kohës së komunizmit, të cilat sot janë ende të banueshme. Ne do donim të dinim: çfarë rëndësie urbanistike kanë këto ndërtesa sot për kryeqytetin?

DORINA: “Tani për tani shikohen me sy kritik, sepse nuk janë të mirëmbajtura. Do të thuash çfarë vlerash kanë këto banesa që mund t’i rivlerësojë popullsia shqiptare? Po një vlerë, për shembull, është që nuk janë shumë të larta. Tjetër gjë të mirë që kanë banesat e asaj kohe është prezenca e dritareve, si në kuzhinë ashtu edhe në banjo. Në Tiranë sot, ndoshta banesat e kësaj kohe janë të vetmet që kanë mbetur me ventilim të tërthortë. Kështu që këto janë vlera, janë gjëra të mira, pavarësisht se fasadat tani janë içik si të ngrëna me dhëmbë; mund t’i quajmë madje dhe post-moderne deri diku, deri në një farë mase, sepse e kanë thelluar atë modernizëm me të cilin ishin ndërtuar. Banorët kanë bërë gjithë ato ndërhyrje, ndërhyrjet e veta, si kanë dashur, kanë shprehur kreativitetin e tyre në një farë kuptimi. Por edhe kjo mund të konsiderohet një lloj vlere.”

Një nga shqetësimet sot në Tiranë është se dikur jepeshin me qira afatgjatë, sot po jepen me qira ditore. A mendoni se ky është një shkak kryesor për faktin që janë rritur kaq shumë çmimet e qirave në Tiranë?

DORINA: “Nuk mendoj që është ndër shkaqet kryesore, them se shkaqet kanë rrënjë shumë më të thella në ekonomi dhe politikë; por është një shkak. Është diçka që diskutohet shumë edhe në Australi, në vendin ku unë jetoj. Prezenca e platformave si Airbnb që operojnë edhe në Tiranë konsiderohet si një nga arsyet që ka hequr nga tregu banesat për qira afatgjatë, sepse është më me përfitim t’i japësh banesat me qira në formën e hotelit. Kështu që kjo tendencë, them, që duhet frenuar nuk e kanë në dorë vetë banorët këtë; është diçka ku duhet ndërhyrë shteti. Rasti i Shqipërisë varet se çfarë lloj ndërhyrje mund të zgjedhë qeveria shqiptare. Mund t’i ndalojë totalisht, ose mund të operohet me anë të taksave. Për shembull: banorët e Tiranës që kanë në pronësi një banesë për të jetuar dhe dy-tre banesa të tjera për t’i dhënë me qira, qoftë afatgjatë, qoftë për Airbnb-domethënë është biznes; në atë rast është biznes, dhe mund të taksohen më shumë se banorët e tjerë.”

Këtë foto ne e kemi marrë nga zemra e Tiranës. Do donim të të pyesnim: çfarë roli luajnë këto ndërtesa në planifikimin urban a janë thjesht një simbol prestige, apo kanë vërtet një funksion praktik?

DORINA: “Po, ky është problem, problem i ashtuquajturës “star-architecture”, që në anglisht është kombinimi i fjalëve “star” (yll) dhe “architecture” (arkitekturë). Domethënë, kjo përthithje e arkitektëve të njohur në nivel botëror nga qytete të ndryshme si një formë për të bërë një lloj marketingu. Përveç kësaj, nuk mendoj se këto kulla të larta, edhe nëse janë të dizenjuara nga arkitektë shumë të njohur, të shtojnë aq shumë qytetit. Njeriu i zakonshëm çfarë përfiton prej këtyre kullave? Në përgjithësi, ato i shërbejnë biznesit. Nëse ka njësi strehimi brenda në këto ndërtesa, nuk janë asnjëherë për shtresat në nevojë, sepse i papërballueshme nga pikëpamja e çmimit.”

Kjo është një foto tjetër, nga banorët e zonës 5 Majit, në shkurt 2022, ku policia dhe IKMT-ja zbarkuan në orët e para të mëngjesit për të shembur shtëpitë. Ju si e keni parë gjithë këtë situatë dhe si e vlerësoni menaxhimin e zhvendosjes së banorëve nga kjo zonë?

DORINA: “Me këtë nuk jam dakord. Këto ndodhin në urbanistikë që të zhvillohet qyteti nganjëherë është e nevojshme që t’i merret prona dikujt që qyteti të zhvillohet në mënyrë racionale, jo kuturu. Por unë si urbanistenuk mund të jem dakord me një situatë ku shteti vetë i bën qytetarët e pastrehë. Kjo nuk është okej në një shoqëri moderne. Kështu që edhe ata banorë që kanë pasur shtëpi pa leje në atë zone, një zgjidhje paraprake duhet dhënë para se të zhvendosen nga shtëpia. Pastaj, kur i kanë pronat e tyre, duhet kompensuar në nivel tregu.”

Në Tiranë, disa qytetarë janë pa strehë si në këtë foto, ose jetojnë në kushte jo të qëndrueshme, ndërkohë që zhvillimi ekonomik dhe ndërtimet janë intensive. Si e komentoni këtë fenomen?

DORINA: “Është fenomen shumë, shumë i trishtuar. Të jesh i pastrehë është një nga situatat më të vështira që mund të përjetojë njeriu. Megjithatë, ky problem ekziston si problem social, nuk dua ta minimizoj në asnjë mënyrë. Patjetër është problem urbanistik, por është edhe problem që lidhet me aspekte të tjera. Kështu që duhet bashkëpunim ndërsektorial për ta zgjidhur. Është problem shumë i vështirë, por them se është i trajtueshëm, në mos i zgjidhshëm totalisht.”

Si mund të balancohet plani zhvillimor i Tiranës me nevojat për banim të përballueshëm për qytetarët më të varfër?

DORINA: “Deri tani, sektori i ndërtimit është lënë pothuajse në dorën e tregut privat. Por një gjë si strehimi nuk mund të zgjidhet totalisht nga tregu. Këtë e shohim nga përvoja botërore me strehimin. Ka pasur shumë vende, sidomos në veri të Evropës; vende si Holanda, vende si Mbretëria e Bashkuar që dikur kishin shumë banesa sociale. Erdhi një moment kur privatizuan me idenë që të ulin koston e shtetit. Dhe çfarë solli kjo?! Më tepër krizë strehimi.”

Dhe e fundit për ta mbyllur, si do e përshkruaje Tiranën aktuale?

DORINA: “Tirana e sotme ka këto probleme që folëm, por është qytet i bukur, ka shumë gjëra që i mungojnë qyteteve perëndimore. Ka klimë të mrekullueshme, ka banorë që janë shumë të afërt, shumë miqësorë. Dhe është qytet i gjallë, gjithmonë sheh fytyra të reja kur del.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB