
TIRANË- Hoteli dhe lokali në pronësi të Mondi Vogës, i njohur edhe si shofer i ish-prokurorit Arjan Ndoja, është sulmuar me breshëri plumbash. Ngjarja ka ndodhur një natë më parë, në fshatin Krastë të Fushë Krujës.
Si pasojë e të shtënave nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja. Autorët dyshohet të kenë qenë dy dhe mësohet se kanë qëlluar me kallash nga kodra përballë lokalit dhe hotelit. Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë ende nuk dihet me siguri. Mondi Voga është edhe një emër i njohur për drejtësinë. Në të njëjtin lokal, në vitin 2017, i kanë vendosur një sasi eksplozivi. Ai ka qenë një nga personat që ka dhunuar avokatin Ilia Ilia në vitin 2018, ndërsa në 2020 është arrestuar për armëmbajtje pa leje.