
TIRANË- Pas denoncimeve të njëpasnjëshme për institucionet e mikrokredive, qytetarë të tjerë kanë gjetur mundësinë që të ngrenë edhe problematika të tjera. Rezultati është i njëjtë, zhvatja e tyre, pavarësisht nëse bëhet nga mungesa e përgjegjshmërisë apo në mënyrë të qëllimshme. Një zonjë na tregon se si ende ka një dosje të hapur tek kompania DA&FIN Partners, për shkak të mbylljes së një kontrate me kompaninë Albtelecom, sot ONE. Më konkretisht, ajo tregon se dy vite më parë, në nëntor të vitit 2022 ka mbyllur kontratën që ka pasur me Albtelecom dhe ka dorëzuar pajisjet.
Por një vit më vonë, një kompani fantazmë e kontraktuar nga One (sot) e ka telefonuar për ta njoftuar se duhet të paguante edhe 8567 lekë, pas kontratës së mbyllur. Kur është lidhur me zyrën e informacionit, i është thënë se detyrimi është 1600 lekë. I gjithë ky varg telefonatash ngre shumë dyshime, pasi çdo klient që ka ende detyrime ndaj një kompanie, nuk mund t’i lejohet që të mbyllë kontratën. Duke qenë se zonjës në fjalë i është lejuar kjo gjë, si ndodh që një vit më vonë kujtohen për detyrimet? Tashmë, e njëjta qytetare shqetësohet nga kompania e riskut, DA&FIN Partners. A ka një përgjigje për këtë rast? ZËRI ka kontaktuar me zyrën e shtypit të kompanisë ONE, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ende një përgjigje.