Video

Deputetët izraelitë shokohen pasi panë masakrat e Hamasit

Disa deputetëve iu ra të fikët pasi panë pamjet, ku tregoheshin masakrat, që kreu Hamasi më 7 tetor. Disa prej tyre qanë e disa po dridheshin.

D.XH

Deputetët izraelitë shokohen pasi panë masakrat e Hamasit

JERUZALEM - Anëtarët e parlamentit të Izraelit u ftuan për të parë një përmbledhje të pamjeve video, që tregonin disa nga mizoritë që militantët e Hamasit kryen më 7 tetor.

Ligjvënësit u lejuan të shikonin pamjet me dyer të mbyllura pas një kërkese të bërë nga Kryetari i Knesset, Amir Ohana.

Videoja 43-minutëshe, përfshin pamjet e kapura nga kamerat e trupit të militantëve të Hamasit, kamerat e sigurisë, telefonat inteligjentë dhe llogaritë e mediave sociale.

Anëtari i Knesset i Partisë Likud, Gilat Distel-Atbaryan tha se mjeku i parlamentit u ofroi deputetëve ilaçe kundër ankthit, përpara se të hynin në auditor. “Qëndrova në sallë për pesë minuta dhe më pas dola duke qarë dhe duke u dridhur”, shkroi deputetja në një postim në X.

Anëtari i Likud-it, Eli Dallal u largua pas 10 minutash. “Pasi pashë shkurtimisht mizori të tilla, unë them pa mëdyshje: Hakmarrja nevojitet dhe ringjallja e Hamasit nuk mund të lejohet”, shkroi Dallal në X.

Deputetit Tsega Melaku thuhet se i ra të fikët, prandaj disa mjekë u thirrën në vendngjarje. Një tjetër ligjvënës deklaroi se Hamasi nuk duhet të ekzistojë.

"Këta vrasës të neveritshëm nuk meritojnë të quhen armiq. Kjo gjë që pashë, nuk ka të drejtë të ekzistojë në botë," tha ligjvënësi i Partisë së Sionizmit Fetar, Michal Ualdiger. “Qytetarët e Gazës gjithashtu morën pjesë në masakër me një egërsi të paimagjinueshme, ndaj mos flisni për të papërfshirë”, shtoi ai.

Deputetja e Partisë së Punës Naama Lazimi tha se ajo arriti të shohë pjesën më të madhe të filmimit. Lazimi theksoi dhe pjesën, që ishte më e dhimbshme.

“Kur u shfaq fotografia e foshnjës së vrarë, fotoja ishte aq e dhimbshme sa më duhej të largohesha, nuk e shijoja dot. Imazhi do të jetë përgjithmonë i gdhendur në thellësi të shpirtit tim”, shkroi Lazimi në X.

Pasi pa pamjet, deputeti i Likud, Boaz Bismuth i bëri thirrje ushtrisë izraelite që të publikojë videon për publikun në mënyrë që e gjithë bota të dijë se çfarë ndodhi në Izrael.

Rreth 1,400 izraelitë, pothuajse të gjithë civilë, u vranë në sulmin e befasishëm të Hamasit më 7 tetor ndaj komuniteteve pranë kufirit të Gazës. Mijëra të tjerë u plagosën dhe të paktën 240 izraelitë dhe shtetas të huaj u zunë rob./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB