
TIRANË- Fermerët shqiptarë po falimentojnë. Kështu shkruan “Der Standart” në një artikull që u ka dedikuar prodhimit të tyre që shpesh mbetet pa shitur sepse fabrikat preferojnë të importojnë qumësht më të lirë nga vendet e Bashkimit Europian ose nga Serbia. Më parë, çdo fermer merrte 85 euro për kokë bagëti në vit, tani marrin vetëm 43 euro. Fshatrat janë gjysmë bosh, shpeshherë me vetëm të moshuar. Një vit më parë, BE pezulloi gjithashtu fondet IPARD bujqësore për Shqipërinë për shkak të korrupsionit. Fermerët shqiptarë, sipas Der Standart, kanë humbur ndikimin social dhe politik. Sipas Institutit të Statistikave, sektori i bujqësisë u tkurr me më shumë se tre për qind vitin e kaluar. Ndaj disa njerëz përdorin zonat për një produkt bujqësor që nuk mund të tregtohet zyrtarisht: kanabis. Plantacionet ilegale, sipas Der Standart, shihen si një formë moderne e revoltës së fshatarëve, një rebelim kundër naftës së shtrenjtë dhe subvencioneve bujqësore të BE-së që nuk do të jepen më.