
TIRANË- Emigrantët që janë mbyllur në Gjadër kanë nisur revoltën, duke shkaktuar dhunë dhe tensione. Tre prej tyre janë lënduar duke i shkaktuar vetes plagë me thikë. Një grup tjetër emigrantësh kanë shkatërruar dhomat dhe kanë thyer xhamat e dritareve.
Të plagosurit janë trajtuar në infermieri dhe pas hetimeve të kryera mbi këto trazira, emigrantët janë futur në qelitë e burgut të ndërtuara brenda objektit posaçërisht për raste të tilla. Ata do të mund të takohen vetëm me avokatët e tyre. 40 emigrantët me urdhra dëbimi nga Italia mbërritën më 8 prill me pranga në kampin e Gjadrit. Bëhet fjalë për refugjatë, të cilëve u është refuzuar azili në Itali. Mes tyre ka persona të akuzuar ose të dënuar për krime si vrasje të mbetur në tentativë, dhunë seksuale, lëndime të rënda, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje, nxitje të miturve dhe posedim të lëndëve narkotike. Afati maksimal i qëndrimit të tyre në kampin e Gjadrit, do jetë 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin.