
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për inceneratorin e Tiranës. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me tre vite burg, por ka përfituar ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për rrjedhojë dënimi iu ul me 1 vit dhe për 2 vitet e mbetura, izolimi rreth çështjes quhet i vuajtur. Por, Kokës nuk i lejohet që të mbajë funksione publike për pesë vite. Megjithatë, pavarësisht shuarjes së masës për dosjen e inceneratorit të Tiranës, Koka do të vijojë që të qëndrojë në burg pasi është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit e Elbasanit.
Fajtorë për inceneratorin e Tiranës janë shpallur edhe gjashtë persona të tjerë, ndërsa një është shpallur i pafajshëm. Bledar Karoli është dënuar gjithashtu me 3 vite burg, por me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite, dënim të cilin e ka shlyer në paraburgim dhe për rrjedhojë do të lirohet nga qelia. I njëjti vendim vlen edhe për Taulant Tushen, por ai do të vijojë të qëndrojë në paraburgim pasi hetimet për dosjen “5D” vijojnë. Namik Simixhiu është gjithashtu një tjetër person i përfshirë, i dënuar me 3 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar dënimi i ulet në dy vite dhe për pasojë masa “arrest me burg” shuhet. Edhe për Fatjon Muratin është dhënë i njëjti vendim. Valbona Ballgjini është dënuar me 2 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, dënimi i mbetur i konvertohet në shërbim prove. Sidita Kopliku është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg por sërish për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, ky dënim i është ulur dhe konvertuar në punë në të mirë publike. Jetmir Llapaj është shpallur i pafajshëm.