
TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj është lënë në burg. Për të tretën ditë radhazi, Veliaj është paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila ka marrë vendimin të lërë pas hekurave kreun e Bashkisë Tiranë, që u vu në pranga një muaj më parë. Pas seancës, avokati i Veliajt, Maks Haxhia tha se SPAK nuk solli asnjë provë të re dhe se nuk mund të lihet në burg personi më i votuar në Shqipëri.
Masa ka ndryshuar për biznesmenin Elman Abule, i cili nga 'arrest me burg' është lënë në 'arrest shtëpie', në këmbim të garancisë pasurore. Ndërkohë e njëjta masë sigurie është lënë për 3 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, të cilët janë lënë në “detyrim paraqitje”. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi edhe sekuestron e llogarive bankare të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.