TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha do të paraqiten të dy përpara gjyqtares Irena Gjoka ditën e nesërme. Në orën 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen Gërdeci, për të cilën është marrë i pandehur ish-ministri Fatmir Mediu. Për këtë gjë, do të dëshmojë djali i kryedemokratit, i cili pritet të japë llogari për faksin me mbishkrimin “për Shkëlzenin”. Dy orë më vonë, në 11:00 do të jetë seanca ku do të caktohet masa e sigurisë për kryedemokratin Berisha. SPAK ka kërkuar ‘arrest shtëpie’ për ish-kryeministrin, nën mbikqyrje policore. Nesër pritet gjithashtu që Gjykata e Lartë të marrë një vendim për vulën e Partisë Demokratike.