TIRANË- Zjarri që përfshiu katin -1 në QSUT më 11 shkurt, e ka nxjerrë jashtë funksionit urgjencën. Dhe edhe pse kanë kaluar gjashtë javë nga ngjarja, në këtë pavion nuk ofrohet asnjë shërbim. Mbyllja e QSUT ka bërë që pacientët të shpërndahen në spitalin e Traumës kur kanë probleme gastrointestinale apo kanë nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa ata me tension të lartë apo probleme kardiake duhet të shkojnë në ish-Sanatorium e Tiranës. Numri i lartë i pacientëve ka bërë që në ish-Sanatorium të shtohet fluksi i urgjencave dhe po ashtu situata është rënduar edhe për spitalin e Traumës. ZËRI është munduar të kontaktojë me QSUT, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Nuk dihet ende se kur mund të rifillojë të funksionojë normalisht shërbimi i urgjencës në qendrën më të madhe spitalore në vend. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet.