
TIRANË- Luan Haka, ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike si dhe ish-kandidat për kryetar bashkie në Dibër është vënë në pranga bashkë me dy persona të tjerë pasi u është zbuluar një magazinë ku stampoheshin rroba të ardhura kontrabandë me logo të markave të njohura ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për marka si Hugo Boss, Calvin Klein, Air Jordan, Tommy Hilfiger, Balenciaga, Valentino, Dolce Gabbana, Prada, Emporio Armani, Philipp Plein, Moncler, Adidas, Reebok e shumë brande të tjera luksoze. Rrobat silleshin nga turku Ozkan Sulun dhe më pas magazinoheshin në Rrugën e Arbrit në fshatin Brrar në Tiranë ku stampoheshin me logot e markave. Pas stampimit, i gjithë malli dilte në treg duke furnizuar dyqanet nga më të ndryshme në Tiranë dhe jo vetëm dhe duke u shitur si produkt origjinal. Në pranga ka rënë edhe Ali Bushati, Xhuljo Lecaj, administratorë të fabrikave, Arjan Hida qiradhënësi i pronave, nërkohë që është shpallur në kërkim djali i Luan Hakës, Lidion Haka. Në gjendje të lirë po hetohen katër punonjës.