Video

Ish-policët shqiptarë, thesari i grupeve kriminale në Londër

Ekspertët thonë se këta ish-policë janë shumë të vlefshëm për "mafiozët" për shkak të njohurive të tyre të brendshme se si funksionon Policia.

F.m
Ish-policët shqiptarë, thesari i grupeve kriminale në Londër
Foto Ilustruese

MBRETËRI E BASHKUAR- Shqiptarët sundojnë tregtinë e kokainës në Britaninë e Madhe prej 5 miliardë paundësh në vit dhe tregojnë pa u ndrojtur të gjitha përfitimet e tyre të paligjshme. Tani gangsterët shqiptarë nuk janë ngushtuar vetëm në rrethin e tyre, por po rekrutojnë edhe ish-policë nga Shqipëria. Sipas një investigimi të "The Sun", shqiptarët kanë marrë kontrollin e tregut të kokainës në Britani gjatë dy dekadave të fundit pasi kanë krijuar një aleancë me kartelet e drogës në Amerikën Latine. Por kohët e fundit, ish-efektivë nga Shqipëria janë kapur duke shpërndarë drogë dhe duke ruajtur fermat e kanabisit në Angli. Ekspertët thonë se këta ish-policë janë shumë të vlefshëm për "mafiozët" për shkak të njohurive të tyre të brendshme se si funksionon Policia.

Dhjetorin e kaluar, ish-polici shqiptar Igli Ajazi u kap me anëtarët e një bande të madhe të krimit të organizuar, ndërkohë që kishte marrë një vizë për të studiuar kriminologji në universitetin Roehampton të Londrës. Ajazi, i cili ka punuar si polic në Veri të vendit nga viti 2019 deri në vitin 2022, u tha oficerëve se karrierën e kishte vendosur në "pauzë". Ai u kap kur Policia i kontrolloi makinën dhe zbuloi lidhjet e tij me një klan shqiptar të drogës me bazë në Londër. Telefoni i 28-vjeçarit kishte mesazhe për shitjen e kanabisit në kryeqytet, si dhe video me abuzim fëmijësh, për të cilat ai tha se i kishin mbetur në celular nga puna e tij në Shqipëri. Ajazi u dënua me 20 muaj burg, por dënimi iu konvertua me një kurs rehabilitimi dhe iu dha 180 orë shërbim në komunitet.

Ish-polici i apasionuar pas futbollit, Admir Hidri, 25 vjeç, pagoi një çmim të rëndë për faktin se bashkëpunoi me gangsterët e drogës. Ai u hodh nga dritarja e një shtëpie me kanabis dhe theu kurrizin. Hidri pretendoi në gjykatë se ishte detyruar që të punonte në shtëpi bari për shkak se kishte marrë hua para nga një personazh i botës së krimit për të financuar trajtimin për nënën e tij të sëmurë në Shqipëri. Kështu që për të shlyer borxhin, ai u punësua në një shtëpi bari ku po rriste bimë me vlerë prej 70,000 £. Hidri u burgos për 2.6 muaj pavarësisht se pretendoi se ishte hedhur nga dritarja pasi kishte frikë.

Një tjetër polic u përpoq të qëndronte në Britani pasi kishte kryer 3 vite burg për trafik kokaine. Klisman Sykaj apeloi kundër deportimit të tij në Shqipëri në vitin 2022, pasi hyri fshehurazi në Mbretërinë e Bashkuar 11 vjet më parë. Ai u kap në flagrancë pasi Policia bastisi banesën e tij në Nottingham në vitin 2015 dhe gjeti kokainë të fshehur në një tenxhere. Sykaj pretendoi se kishte nisur që të punonte si i infiltruar për Interpolin përpara se të pranonte përfundimisht të vërtetën. Pas burgut, ai u deportua në Shqipëri, ku punoi si polic burgjesh. Ai u kthye në Britani, por edhe herën e dytë u kap edhe pse kishte dokumenta italiane false.

Në prill të vitit të kaluar, Igli Duka, 24 vjeç, u burgos me 2 vjet për rritjen e qindra bimëve kanabis në një njësi industriale në West Lothian. Ai pretendoi se një gangster famëkeq që ai kishte arrestuar më parë në vendin e tij e kishte shantazhuar për të bërë punën. Një tjetër, i cili pretendonte se ishte nfiltruar në mafian shqiptare, tha para autoriteteve britanike se ishte detyruar që të punonte për pjesëtarët e grupit pasi këta të fundit ia zbuluan identitetin e vërtetë. Kur doli në gjyq, në vitin 2021, avokati i tij pretendoi se klienti ishte larguar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar pasi ata që kishte spiunuar i kishin djegur mjetin e të atit.

Poll

MOS HUMB