
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ironizuar mbledhjen e Komisionit të Etikës, e cila mori vendimin për përjashtimin e tij me 3 ditë nga Kuvendi. Jashtë Kryesisë së Kuvendit, Korreshi nuk e kurseu ironinë për ditët që është përjashtuar gjatë aksionit të tij në Parlament. I pyetur nga gazetarët nëse po e ndjen rritjen e rrogës që u miratua pak kohë më parë për deputetët e Kuvendit, Korreshi nuk 'harroi' dozat e humorit, duke shkaktuar hilaritet mes gazetarëve.
"Pse duhet të konfrontohemi ne me Gardën? Ne u futëm në mbledhje, unë jam anëtar dhe kam të drejtë të futem në mbledhjen e Sekretariatit. Ne kërkuam që të futeshin edhe 7 të përjashtuarit. Nuk e ka procedurë që i bie bilbilit Klotilda dhe hyjmë ne. Po e gëzojmë shumë rritjen e rrogës. Punë e madhe se nuk e kemi marrë rrogën. Do hamë pensionin e plakës. Merr plaka imë 112 mijë lekë edhe do hamë të gjithë. Do hamë grosh gjithë muajin. A e zgjidh kjo lloj pafytyrsie këtë që po ndodh në këtë moment? Të enjten do të provojmë të jemi në Kuvend me të gjitha mënyrat. Nuk na tremb 10 ditorëshi. Nëse i duam t'i bëjmë Komisionet tek PS, atëherë le ti bëjmë të gjitha këto. E fillojnë vetë xixanjët. Na nxjerrin Gardën. Po na shpallin të gjithë non grata, të gjithë duam të dalim nga Parlamenti,"-tha Korreshi.
SHIKONI VIDEON:
Pas tensioneve në seancën e djeshme në Kuvend, janë përjashtuar 6 deputetë. Bledion Nallbati, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi u përjashtuan për 10 ditë. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Saimir Korreshi u përjashtua për 3 ditë. Socialistët, në shkresën drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, shprehen se deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, hoqën kartat nga pajisjet elektronike të deputetëve socialistë që kishin regjistruar emrin e tyre për të folur në Kuvend./Zëri.ai