Video

Kryemadhi rrëfen të vërtetën e vilës dhe ligjin për minierat

Kryemadhi rrëfen të vërtetën e saj për dy episodet.

F.m
Kryemadhi rrëfen të vërtetën e vilës dhe ligjin
Deputetja Monika Kryemadhi

TIRANË- Deputetja Monika Kryemadhi e ka konsideruar një mashtrim, një nga pikat e renditura në deklaratën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes të cilës ngrihej dyshimi se çifti Meta-Kryemadhi kishin ndikuar në ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Në këmbim, sipas SPAK, dyshja kanë përfituar përkohësisht një vilë. E pyetur nga gazetarja e ZËRI-t, Florida Mingla për këtë çështje, Kryemadhi tha se nuk është e vërtetë.

Deputetja Monika Kryemadhi: Nuk është e vërtetë fare. Ky është një mashtrim

Më pas deputetja sqaroi se ekziston një vilë që ajo e ka parë, e ka studiuar, por pa dijeninë e Metës dhe se kur e ka kuptuar Presidenti i Partisë së Lirisë, planet për vilën janë ndërprerë.

Deputetja Monika Kryemadhi: Po unë kam dashur të marr një vilë pa dijeninë e Ilir Metës, e kam parë, kam shkuar e kam parë, të pandërtuar. Dhe vërtet Ilir Meta nuk ka ditur asgjë. Do ta bëja unë, isha unë ajo që bëja komunikimin. Sepse do bëhej në shkëmbim me dyqanet në pallatin tim. Dhe ambasadori grek i tha Metës që, do jemi komshi bashkë? Çfarë komshiu, i ka thënë ky. Çfarë shtëpie shkon merr ti pa më pyetur mua? Se kshu s’të pyeste, nuk të falte në këtë drejtim. Dhe nuk e kemi marrë.

Ndërsa, përsa i përket ligjit, Kryemadhi tha se do të bëhej një ligj për Unifikimin e Funksionimit të të gjithë galerive të minierave dhe në këmbim do të përfitonin statusin e minatorit, që sot e kësaj dite nuk ka kaluar ende në Kuvend. Deputetja

Monika Kryemadhi: Përsa i përket personit në fjalë që thonë, në telefon është edhe një mesazh i Vali Bizhgës, që bëhet fjalë për ligjin e Unifikimit të Ligjit të Galerive të minierave. Do të bëhej një ligj për Unifikimin e Funksionimit të të gjithë galerive të minierave. Dhe është bërë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. Kemi takuar dhe të gjitha grupet e interesit, kemi takuar të gjitha shoqatat e minierave, të gjitha shoqatat dhe sindikatat e minatorëve, dhe neve sot e kësaj dite nuk e kemi të miratuar statusin e minatorit. Kështu që kjo është historia e ligjit dhe nuk ka asnjë lloj ndikimi në këtë drejtim përsa i përket biznesmenit në fjalë.

Pyetjen e dytë të bërë po nga gazetarja e ZËRI-t, Florida Mingla, Kryemadhi e shmangu, duke u shprehur se nuk e kishte lexuar këtë pikë në deklaratën e SPAK. Bëhet fjalë për episodin që SPAK pretendon se Kryemadhi e Meta janë pajisur me karta krediti dhe kanë marrë përqindje nga një kompani pasi në kohën që Meta ka qenë kryetar Kuvendi kanë përdorur influencën duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “Unifi Comunications INC” dhe një kompanie private telefonike celulare. Por, Kryemadhi deklaroi se nuk e kishte lexuar këtë pjesë ku përmendet biznesmeni Adrian Shatku dhe se do të ndiqte hapat e mëtejshëm në Inspektorian e Lartë të Drejtësisë, pasi sipas saj, SPAK ka shkelur kodin e procedurës penale për nxjerrje të sekretit hetimor.

Deputetja Monika Kryemadhi: Këtë tani sapo ma thatë ju, shyqyr e kemi të regjistruar, do t’ia bëj Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, që ta investigojë. Faleminderit shumë, pavarësisht se s’kam ndonjë shpresim dhe ndonjë besë të madhe shumë tek ata. Sepse kjo është një shkelje haptas e kodit të procedurës penale, neni 279.

Poll

MOS HUMB