
TIRANË- Komisioni Evropian e ka miratuar planin e kryeministres italiane Giorgia Meloni për qendrat e strehimit në Shqipëri. Brukseli i ka dhënë dritën jeshile idesë së kryeministres italiane, për të trafnsferuar në qendrat në Gjadër, emigrantët që janë në procedura azili. Në fakt, legjislacioni aktual europian e ndalon këtë lloj praktike, por Komisioni ka parashikuar mundësinë e futjes së “qendrave të azilit” si pjesë e një plani për rregulloren e vendeve të BE-së rreth azileve.
Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe italiane më 6 nëntor të vitit 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta është Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse. Ndërsa në Gjadër është ngritur kampi ku emigrantët do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil. Deri më tani qendrat pritëse janë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.