
TIRANË- Klea Prenga, e reja nga Mirdita që u dhunua nga motrat Antonela dhe Mariela Berisha, është zyrtarisht e paaftë për të punuar në profesionin e saj, si blogere. Në këtë përfundim ka dalë ekspertiza pas analizimit të dëmit që i është shkaktuar të resë, i cili rezulton se hyn në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore. Në dokumentin e publikuar sot, ekspertiza vlerëson gjendjen emocionale të të lënduarës si jo të mirë duke theksuar se së fundmi ishte mbyllur në vetëvete dhe kishte kufizuar daljet në publik. Kjo gjë ka ndikuar dhe në humbjen e punës si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes. Fizikisht, sipas ekspertizës, Klea Prenga ka asimetri të dukshme të buzës së sipërme dhe muskulaturëss së anës së djathtë të fytyrës. Dëm ky, i konsideruar si i përhershëm, i pariparueshëm vetvetiu apo me teknika të zakonshme mjekësore. Motrat Berisha janë ende në arrati dhe mes dy palëve ka nisur një ‘luftë’ në rrjetet sociale. Mariela Berisha pretendon se Klea është futur në martesën e saj me biznesmenin Mir Pepa, ndërsa 24-vjeçarja i qëndron një tjetër version. Ajo është shprehur se në momentin që ka krijuar lidhje me Pepën, ai ka qenë i ndarë nga Mariela.