
TIRANË- Olta Xhaçka do të vazhdojë të mbajë mandatin e deputetes së Partisë Socialiste. Me 72 kartona të kuq, socialistët kanë vendosur me shumicë votash që të mos e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese çështjen e mandatit të saj. Në seancë sot mungoi kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e ministrave, pasi ndodhen në një vizitë zyrtare në Francë. Xhaçka e bëri vetë mbrojtjen e vetes duke mohuar akuzat për konflikt interesi. Pas votimit në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se sot është fundi i demokracisë. Ndryshe u prit votimi në Kuvend nga socialistët që shkuan dhe përqafuan kolegen e tyre, bashkëshorti i të cilës po hetohet nga SPAK. Ish-ministrja e jashtme akuzohet se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, pasi gjatë kohës kur ajo ishte pjesë e kabinetit qeveritar, bashkëshorti i saj Artan Gaçi ka marrë statusin e investitorit strategjik.