TIRANË- Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa merr sot zyrtarisht detyrën. Sofia Moreira de Sousa do të zëvendësoje Silvio Gonzaton, i cili pas tre vitesh mbylli misionin e tij diplomatik në vendin tonë. Diplomatja portugeze ka një përvojë të gjatë në institucionet dhe strukturat diplomatike evropiane. Para emërimit si ambasadore e BE-së në Shqipëri, ajo ka shërbyer si Drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali. Në fillimet e karrierës, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës. Në vitet 2005-2006, diplomatja portugeze ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin dhe më pas deri në vitin 2014, ajo ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së. Diplomatja portugeze ka qenë edhe pjesë e strukturave që merreshin me negociatat për çështje të lidhura me Iranin dhe marrëdhëniet e BE-së me Partnerët Lindorë. Para angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar profesionin e avokates për dy vjet në një studio ligjore në Porto, qytetin e saj të lindjes.
/ZËRI