TIRANË- Grupi i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike në seancën plenare të kësaj të enjteje. Konkretisht, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin. Gjithashtu, PS kërkon përjashtimin me 10 ditë për 14 deputetë të tjerë, duke argumentuar se veprimet e tyre u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme nga deputetë të tjerë të opozitës, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës së votimit. Kërkesa vjen pas kaosit që përfshiu seancën e sotme plenare që zgjati vetëm një orë, mes tensioneve, heqje mikrofoni, flakja e letrave dhe kartonëve të votimit. Sekretariati i Etikës do ta marrë vendimin nesër në orën 10:00 përmes një mbledhjeje online.
/ZËRI