
TIRANË- Pezullohet nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani. Vendimi është marrë nga Gjykata e Beratit, pas një kërkese të bërë nga Prokuroria e qarkut për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".
Në vendimin e marrë nga Gjykata, sqarohet se Prokuroria ka prova se kreu i AMP-së, në kundërshtim me ligjin, ka ndërhyrë në një procedurë penale duke transferuar disa Oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët ishin vënë nën hetim. Për rrjedhojë, sipas Prokurorisë, Sulejmani ka vënë në rrezik provat dhe hetimin e nisur dhe në këto kushte, kërkoi pezullimin e tij nga detyra, gjë që Gjykata e ka pranuar.