TIRANË- Arrestimi i biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim prej tetë muajsh në Durrës, ka kthyer “sytë” nga lëvizjet në Policinë e Shtetit gjatë periudhës 2025-2026. Bashkë me Agasin u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku. Ish-efektivi është aluduar si i besuar i Ilir Prodës, teksa emërimet në postet e larta u shoqëruan me akuza për bashkëpunim me krimin. Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit në tetor të vitit 2024. Asokohe, Proda mbante postin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, vend ku dyshohet se Ergys Agasi mund të ketë qëndruar gjatë periudhës që ishte në arrati. Pas emërimit të Prodës në krye të Policisë, edhe Shpataraku u transferua në strukturat qendrore, duke punuar pranë tij. Emërimi i Prodës u shoqërua me akuza ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaronte se Proda fsheh dosjet e krimit dhe mbron eksponentët kriminalë. Berisha madje ka pretenduar se në zyrën e Prodës kanë pasur ndikim figura si Ergys Agasi. Në mars të vitit 2026, Proda u shkarkua. Më 20 maj, pas largimit të Prodës, drejtuesi i ri, Skënder Hita, firmosi edhe përjashtimin e Shpatarakut nga Policia. Ndryshimet, emërimet dhe shkarkimet erdhën në një kohë para arrestimit të Ergys Agasit. Hetimet e mëtejshme lidhur me praninë e një ish-zyrtari të Policisë në makinë me Agasin pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si biznesmeni ka mundur t’u shmanget autoriteteve gjatë tetë muajve.
/ZËRI