
TIRANË- Klientë të ndryshëm kanë rrëfyer eksperiencat e tyre në klinikat dermoestetike në Tiranë, të cilat siç duket, lënë për të dëshiruar. Qytetarët kanë lënë emrin e klinikës dhe përshtypjet, në një pyetësor të zhvilluar në faqen e TikTok, 'Qytetarët Denoncojnë'. Një komentuese shkruan se në klinikën “Eri beauty Clinic Spa” ka paguar 150 euro për një ampulë të vetme, por që dermatologia e përdorte për dy klientë. Për të njëjtën klinikë, një tjetër shkruan se dermapeni i ka përkeqësuar aknet. E njëjta klinikë përmendet sërish, por në këtë rast ka të bëjë me shërbimin lazer, që siç duket nuk ka pasur efekt tek njëra nga klientet. Nuk mungojnë as denoncimet për mungesën e certifikimit dhe garancinë nga FDA. Dermatologia Monika Fida, sipas njërës prej klienteve, është një zhgënjim në lidhje me trajtimin e akneve. Për dermatologen Irena Savo, shkruajnë se një klienteje i ka dëmtuar fytyrën. Denoncimit nuk i kanë shpëtuar as klinikat e njohura, ku një komentuese tregon përvojën tek 'Dermolife', për të cilën thotë se i ka shkatërruar lëkurën dhe hundën është e detyruar ta ribëjë. Në rastin më të rëndë një komentuese përmend dermatologen Entela Shkodrani, për të cilën thotë se nga diagnoza e saj e gabuar, babai i klientes ka rrezikuar jetën. Megjithatë kjo është vetëm një anë e 'medaljes'. ZËRI ka kontaktuar me klinikat në fjalë dhe me dermatologet për një sqarim më të detajuar në lidhje me denoncimet e bëra, por deri në publikimin e këtij materiali, nuk kemi marrë një përgjigje.