
TIRANË- Dhunimi barbar, gati-gati në gjymtim fizik i Klea Prengës ka dy autore: motrat, Antonela dhe Mariela Berisha! Të dyja janë të shpallura në kërkim nga Policia e Shtetit, por deri më tani duket se kanë zgjedhur që të mos bashkëpunojnë me autoritetet dhe të përgjigjen për dëmin që i shkaktuan 24-vjeçares. Por fatkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm që në botën rozë dhe me drita të estradës, vajzat përplasen fizikisht me njëra-tjetrën. Dhe arsyeja është gjithmonë e njëjta: një burrë!
Ky rast na sjell ndërmend përplasje të shumta të ndodhura ndër vite mes vajzave të showbizit.
Dy këngëtaret, Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta janë përplasur fizikisht afër zonës së Liqenit të Thatë më 6 dhjetor 2010. Rozana ka qenë në makinë, kur është qëlluar me grushte nga Rezarta Shkurta. Çështja shkoi në gjykatë dhe "molla e sherrit" në këtë rast u raportua se ishte marrëdhënia që Rozana më parë ka pasur me Ermal Hoxhën, tashmë bashkëshorti i Rezartës. Për ngjarjen, Shkurta u dënua me 82 orë punë në komunitet.
Leonora Jakupi dhe Adelina Ismaili u përleshën 10 vite më parë në backstage-t e një koncerti, ku bëheshin parapërgatitjet për regjistrimet e një spektakli për Vitin e Ri. Në 2019, e ftuar në emisionin “Pressing”, Ismaili tha se gjithçka doli jashtë kontrollit kur pa Leonorën të godiste mamanë e saj.
Big Mama dhe Rovena Stefa, nga dy mike të ngushta u kthyen në armike të përbetuara. Gjithçka mendohet se ka nisur kur Big Mama i rrëfeu Rovenës ndjenjat për një mikun e saj, të cilin e njihte prej vitesh. Por brenda pak kohësh ishte Rovena që krijoi një lidhje me të, duke hapur një "luftë" me mikeshën e saj. Big Mama pranoi publikisht se Rovena Stefa e kishte prerë në besë, pasi ajo e kishte strehuar në shtëpi dhe e kishte ndihmuar që të ndërtonte një karrierë në Kosovë dhe si shpërblim, ajo i mori të dashurin.
Modelja dhe ish-konkurrentja e “Big Brother”, Françeska Jaçe është përleshur gjithashtu me një vajzë, ish-gruan e të dashurit të saj. Ngjarja u përsërit, kur Jaçe dhunoi një tjetër vajzë, që në atë kohë ishte shtatzënë.
Trejsi Sejdini, e njohur dhe si "gangsterja e Elbasanit" është filmuar duke dhunuar një grup të rinjsh, ndërsa herën e dytë, një vajzë nga Laçi. E gjitha ndodhi në një club të Tiranës dhe u filmua nga dhjetra persona, por ish-Miss “Universe Albania 2018”, mohoi gjithçka.
Në vitin 2019, modelet Kejvina Kthella dhe Oriola Marashi janë konfliktuar fizikisht me moderatoren Einxhel Shkira. Gjithë historia nisi pas disa batutave që Shkira bëri për modelen Kejvina Kthella, pasi kjo e fundit kishte fituar çmimin e javës te “Dance with me”, ku kërcente çift me ish-politikanin Eduart Ndocaj. Pas komentit të Einxhelit, Marashi dhe Kthella i shkuan poshtë shtëpisë për të "sqaruar" moderatoren, debat që përfundoi në dhunë fizike. Einxheli i denoncoi të dyja në polici.
Po në vitin 2019, Kejvina Kthella dhe Françeska Jaçe u përleshën për një çantë “Channel”. Aksesorin luksoz, Kejvina ia kishte marrë borxh Françeskës dhe më pas i kishte thënë se e kishte humbur.